​Anulimi i “Sunny Hill”, AAK kërkon dorëheqjen e Qeverisë

Festivali “Sunny Hill”, sivjet nuk do të mbahet në Kosovë, për këtë ka reaguar edhe shefi i Grupit Parlamentar AAK-së, Besnik Tahiri i cili kërkoi dorëheqjen e kësaj Qeverie.
Tahiri përmes një postimi në llogarinë e tij “Facebook”, akuzoi Qeverinë në krye me Albin Kurtin se për shkak të saj Kosova e humbi një festival që e promovonte Kosovën dhe që i njëjti shkoi në Tiranë.
“Sot, paradite fola për vendimmarrjen shumë të ngadalshme të Qeverisë së Kosovës, kabineti qeveritar më kqyrke çka po them!!!! Tash qe edhe deklarata zyrtare që në mungesë të ekspedivitetit dhe dinamikës së mirëfilltë në punë, e humbëm një festival që e patëm në promovim të Kosovës – atë të Sunny Hill. Shkoi në Tiranë!!!! Me këtë qasje totalisht fëmijërore dhe joserioze, se di ku është nisur kjo qeveri. Dorëheqje për ‘Qeverinë Breshka’”, ka shkruar Tahiri.
Festivali më i madh që u organizua disa herë në Kosovë, ”Sunny Hill”, sivjet nuk do të mbahet në Kosovë. Lajmin për  portalin RTV21 e ka konfirmuar Alban Kastrati, i cili ka thënë se ”Sunny Hill Festival” do të mbahet në Tiranë këtë vit.
Themeluesi dhe organizatori i Sunny Hill Festival, Dukagjin Lipa përmes një postimi në ”Facebook”, ka treguar se iu kanë adresuar letër krerëve të shtetit, mirëpo krahas gjithë përpjekjeve të tyre, sipas tij, ata janë gjetur peng i politikëbërjes në kurriz të këtij festivali.
Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka reaguar pas dështimit të mbajtjes së Festivalit ”Sunny Hill” në Prishtinë. Rama e ka fajësuar Qeverinë për zvarritje, madje sipas tij, ky anulim do t’i shkaktojë dëm kryeqytetit në kulturë, turizëm, në zhvillimin ekonomik dhe në imazhin e vet të përgjithshëm. Rama ka thënë se pret nga Qeveria të reflektojë dhe Sunny Hill Festival, t’i kthehet shtëpisë së vet, Prishtinës, dinjitetshëm, ashtu siç e meriton secili qytetar i kryeqytetit.
Krahas reagimeve të shumta nga përfaqësuesit e këtij fstivali, ka reaguar edhe Gëzim Sveçla, shef i asamblistëve të LVV-së në Prishtinë. Sveçla ka shkruar se duhet të mirëpritet heqja dorë e ”Sunny Hill” nga insistimi për 99 vjet pronë.
Sunny Hill Festival përmes faqes zyrtare ka treguar se personat të cilët i kanë blerë biletat mund t’i shfrytëzojnë në Tiranë, ndërsa ata të cilët nuk kanë mundësi të jenë në Tiranë, kanë mundësi të rimbursimit të biletave, ku dritarja e rimbursimit do të hapet nga 1 korriku deri më 15 korrik./21Media
/21Media

Back to top button