​Donjeta do të mbetet në histori si femra e parë që i bashkohet gjeneratës së artë

Për nder të legjendës së boksit “Lah Nimani”, sot u zhvillua finalja e 14 me radhë e këtij turneu, ku para se të ngjiten boksierët në ring, u bë ceremonia e pritjes dhe përurimit të boksieres, Donjeta Sadiku për suksesin e saj të fundit në Botërorin e boksit.
Donjeta Sadiku ka shënuar histori duke u bërë kampione e bronztë botërore në Kampionatin Botëror për senior të mbajtur në Stamboll të Turqisë.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin presidenti i Federatës së Boksit të Kosovës (FboxK), Enver Krasniqi, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi dhe zëvendës-ministrja e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Daulina Osmani, të cilët me një fjalë rasti përuruan organizimin e turneut “Lah Nimani”, si dhe suksesin e Donjeta Sadikut, ku kësaj të fundit i dhuruan nga një buqetë me lule.
Fillimisht, presidenti i FboxK, Enver Krasniqi, tregoi boksierët pjesëmarrës në këtë turne, ku gjithsej kishim pesë shtete garuese.
Krasniqi tha se në turne po marrin pjesë boksierët nga Maqedonia, Bullgaria, Shqipëria, Mali i Zi dhe Kosova
Më pas, presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi tregoi që këtë ngjarje e bën më madhështore medalja e bronztë e Donjeta e Sadikut e fituar në Kampionatin Botëror të boksit në Stamboll.
“E kam nderin sot që të jem këtu në këtë aktivitet tashmë tradicional që po e organizon Federata e Boksit në mënyrën më të mirë të mundshme, për legjendën, trajnerin e mirënjohur të Kosovës, Lah Nimani. Sot këtë manifestim e bënë më madhështorë një medalje që na erdh nga Kampionati Botëror i boksit në Stamboll, ku kemi këtu edhe Donjeta Sadikun, e falënderojmë gjithë stafin e saj për përkushtimin dhe punët që i kanë bërë që sot të na gëzojnë me medalje nga Kampionati Botëror që u mbajt në Stamboll”, tha Krasniqi.
Po ashtu, presidenti i KOK-ut shfrytëzoi rastin që të falënderojë veteranët e boksit të Kosovës, ndërsa tha që medalja e Donjetës po na kthen mbrapa në kohë.
Për fund, fjalën morri zëvendës-ministrja e MKRS, Daulina Osmani, e cila tha që medalja e Sadikut dhe turneu “Lah Nimani”, janë takim i të kaluarës me të tashmen.
Më tej, Osmani tha se Donjeta Sadiku do të mbetet në histori si femra e parë që i bashkohet gjeneratës së artë që i sjell medalje Kosovës.
“Është kënaqësi shumë e madhe që rezultateve vazhdë ose rezultateve të boksit kosovar po i vjen edhe një medalje nga një femër që Donjeta do të mbetet në histori si femra e parë që i bashkohet gjeneratës së artë duke sjellë medaljen e bronztë nga Kampionati Botëror”, tha Osmani.
Pas ceremonisë së pritjes së boksieres Donjeta Sadiku, boksierët filluan të ngjiten në ring për t’u zhvilluar finalet në kategoritë 54kg, 57kg, 60kg, 63.5kg, 67kg, 71kg, 75kg, 86kg, dhe 92kg.

Back to top button