​Frika nga variantet e reja, Italia zgjat kufizimet e udhëtimit

 

 

Qeveria italiane ka vendosur të zgjasë ndalimin e udhëtimeve jo të domosdoshme mes të 20 rajoneve të shtetit fqinj deri më 27 mars, në mesin e frikës që kanë ngjallur variantet e reja të koronavirusit.

Autoritetet italiane po përpiqen të marrin masa për të frenuar përhapjen e mutacioneve, që konsiderohen shumë më infektuese se variant fillestar i koronavirusit.

Zyrtarët vendas thanë se Ministria e Shëndetësisë do të rrisë përpjekjet për vaksinim, duke u kërkuar rajoneve që të përdorin të gjitha dozat që kanë, në vend që t’i ruajnë për dozën e dytë.

Ndalimi i udhëtimeve brenda Italisë hyri në fuqi pak para Festës së Krishtlindjes dhe pritej të përfundonte më 25 shkurt, por zyrtarët druhen se lehtësimi i masave të izolimit mund të rezultojë me raste të reja të infektimit me variantin britanik të koronavirusit.

Ndryshe, që prej shpërthimit të epidemisë në shkurt të vitit të kaluar, në Itali janë shënuar 95.718 viktima, shifra më e lartë kjo në Evropë pas Britanisë së Madhe, dhe e shtata në listën botërore.

Back to top button