Gucati: Vrasja e Qerim Kelmendit mund të jetë kryer nga sigurimet e huaja

OVL e UÇK-së e dënoi rastin dhe

Vrasje të dyfishtë të lirisë së popullit të Kosovës e quajti kryetari i OVL-UÇK-së vrasjen e Qerim Kelmendit. Ish-luftëtari i UÇK-së dyshohet se u vra e pastaj u dogj mëngjesin e sotëm në Zahaq të Pejës.

Hysni Gucati kërkon nga institucionet e Kosovës që sa më shpejt të zbardhet ky rast, teksa shpreh dyshimet se vrasja mund të jetë kryer nga sigurimet e huaja. Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Kp tha se ndihet i trishtuar nga ky lajm.

“Ne e kemi pritur shumë keq këtë vrasje, e cila na ka tronditur. Ne kemi reaguar dhe kemi kërkuar nga institucionet e Kosovës, drejtësia, policia dhe gjithë akterët në Kosovë që sa më shpejt të zbulohet ky akt makabër. Në vendet demokratike kur vritet një veteran i Ushtrisë Çliri mtare të Kosovës, vritet edhe liria e atij populli. Se po të mos ishte lufta e UÇK-së, mos të ishin këta djem që e kanë udhëhequr luftën si Qerim Kelmendi, edhe shumë shokë të tij në krye me komandantin Adem Jasharin, ne sot nuk do të ishim këtu”, tha Gucati.

“Unë besoj se këtu mund të kenë dorë sigurimet e huaja, sidomos sigurimi i Serbisë. Unë nuk isha lëshuar në këto deklarata, sepse jam kryetar i veteranëve, nuk bën të lëshohem në komunikata të kujtdo…Ne si organizatë e luftës, pa dallim kush e ka kryer aktin, e dënojmë dhe është mirë që drejtësia sa më shpejt të zbardhë rastin. Në këto momente duhet të ruhet qetësia dhe të mos bëjmë propaganda të tilla, pasi nuk kemi nevojë të bëjmë amulli dhe të qesim krande në zjarr”, tha Gucati.

Vrasja e Qerim Kelmendit u konfirmua sot edhe nga vëllai i tij Ibrahimi, i cili në facebook shkroi: “Festoni rugovistë “pacifistë” – dorë e zgjatur vrastare e Serbisë! Mallkimi dhe turpi ju mbulofshin!” Mirëpo, ky shkrim më pas u fshi nga Kelmendi.

Vrasja e pastaj djegia e ish-luftëtarit të UÇK-së, për Gucatin është vrasje e dyfishtë e lirisë. Ai deklaroi se nga paslufta janë vrarë mbi 160 ish-luftëtarë të UÇK-së. Për këtë të fundit, Qerim Kelmendin, beson se kanë dorë sigurimet e huaja.

Për këtë vrasje gjatë ditës reagoi edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi, i cili u shpreh se vrasja është tronditëse, ndërsa u bëri thirrje institucioneve që të zbardhin rastin.

Qerim Kelmendi ishte anëtar i Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK), dega brenda Kosovës dhe së bashku me vëllain e tij, Ibrahimin ishin pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës qysh në fillimet e saj. Madje, Qerimi kishte thënë se ishte plagosur në gusht të vitit 1996, duke qenë kështu i plagosuri i parë i UÇK-së.

Back to top button