​Haradinaj pyet për subvencionet për bujqit, ministri thotë se së shpejti do të realizohen

 

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka adresuar sot në seancën e Kuvendit të Kosovës çështjen e subvencioneve për fermerët, duke kërkuar shpjegime shtesë nga ministri Faton Peci lidhur me atë nëse bujqit do të marrin edhe pjesën e dytë të këtyre subvencioneve.

Haradinaj ka thënë se fermerët janë të shqetësuar me vonesat, pasi që ka informata se do të ndërhyhet në këto subvencione dhe se do të pakësohen ato.

“A do t’i paguani ratën e dytë dhe a do të mund të shpejtoni në kohë ndarjen e subvencioneve të tilla çfarë parasheh ligji apo ka edhe informata që ju do të ndërhyni në mënyrën se si ato subvencione do të shpërndahen, do t’i pakësoni ato, do t’i ktheni në rregulla të reja në mënyrë që të humbet krejt ky vit. Këto që ua them unë nuk janë veç fjalë të miat, këto fjalë i kam marrë prej shumë fermerëve, vreshtarëve, njerëzve që janë të ndershëm, punëtorë, e të cilët nuk i thonë këto për shkak të partive as për shkak se dikush është me opozitën apo pozitën, por janë të shqetësuar me gjendjen e tyre”, ka thënë ai.

Deklarimeve të Haradinajt, ministri i Bujqësisë Faton Peci iu përgjigj me arsyetimin se pagesat për subvencione do të realizohen së shpejti, ndërkohë që ka dërguar edhe një kërkesë lidhur me këtë çështje në Ministrinë e Financave.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se do të jetë i gatshëm të dalë në terren për të vizituar fermerët, për t’u njohur nga afër me problemet me të cilat ata përballen.

“Imazhi i Ministrisë së Bujqësisë është tejet i rënduar dhe një prej shkaktarëve është keqmenaxhimi në të kaluarën, për çka unë besoj se ju si ish-kryeministër dhe ish-ministri juaj i Bujqësisë Rikallo është njëri nga ata që e ka humbur imazhin e këtij institucioni, për shkak se akuzohet për abuzimin me 4 milionë euro dhe trajtimin në mënyrë jo meritore të masave që i ka ndërmarrë duke e trajtuar një territor të Republikës së Kosovës në mënyrë të veçantë karshi masave tjera që është dashur të ndërmerren. Unë angazhohem që të krijojë politika të mira, të cilat sigurojnë në radhë të parë avancimin e legjislacionit të politikave të qarta për bujqit që evitojnë barrierat e panevojshme, dhe gjithsesi se unë do t’i vesh çizmet dhe do të dalë në pjesë në terren për të parë cilat janë vështirësitë e fermerëve… Pagesa do të realizohet shumë shpejt, dje ka shkuar kërkesa në Ministri të Financave”, ka thënë ministri.

Back to top button