​Haxhi Avdyli zgjedhet nënkryetar i Partisë Guxo

Deputeti Haxhi Avdyli është zgjedhur nënkryetar i Partisë Guxo. Kjo është bërë e ditur nga vetë ai nëpërmjet një postimi në rrjete sociale. Ai  ka falënderuar kryesinë e partisë për besimin.
“Sot anëtarët të kryesisë së re të Partisë Guxo në mënyrë unanime më besuan detyrën e nënkryetarit të partisë. Ju faleminderit për dhënien e përgjegjësisë së re që do jetë stimul shtesë për punë edhe më intensive për të mirën e vendit”, shkroi Avdyli.
Ditë më parë, Partia Guxo mbajti kuvendin e parë zgjedhor ku ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla dhe ministri i Bujqësisë, Faton Peci, u zgjodhën si bashkëkryetarë të partisë.
Mirëpo, në prag të këtij kuvendi, deputetja Doarsa Kica Xhelili braktisi këtë subjekt politik dhe kaloi në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Partia Guxo, fillimisht u krijua si listë nga ana e tashmë presidentes Vjosa Osmani, e cila u shkarkua nga të gjitha funksionet brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas doli hapur kundër disa qëndrimeve të partisë, ndërsa tensionet kulmuan pas rënies së Qeverisë Kurti 1.
Ajo krijoi këtë listë që garoi nën siglën e Lëvizjes Vetëvendosjes, ndërsa arriti të marrë 7 deputetë. Partia Guxo tashmë udhëheq me dy ministri në Qeverinë e Kosovës.

Back to top button