​Hoti: Do t’u dalim në ndihmë familjeve që janë dëmtuar nga vërshimet

 

Si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut të cilat shkaktuan vërshime, rreth 50 persona janë evakuar nga shtëpitë tyre në komunën e Drenasit. Fshati Dobroshevc është bllokuar, intensiteti i lartë i shiut ka shkatërruar edhe urën e fshatit duke e lënë këtë zonë pa qasje në infrastrukturë. Aty ishte sot edhe kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti i cili tha se do t’iu dalin në ndihmë të gjithë qytetarëve të prekur nga situata e krijuar nga vërshimet.

Hoti tha se të gjitha kapacitetet funksionale janë vendosur në menaxhim të situatës, ku shtoi se fillimisht kanë prioritet jetën e qytetarëve dhe pastaj do të kujdesen që financiarisht t’u dalin në ndihmë atyre që vërshimet ua dëmtuan pronat.

“Po kujdesemi që të intervenojmë aty ku gjendja është më emergjente, ka edhe plot komuna, në rrafshin e Dukagjinit në veçanti që janë në gjendje bukur të vështirë në disa fshatra, por ky fshati që e kemi prapa, Dobroshevci është një pjesë e bllokuar pa mundësi të qasjes në infrastrukturë, besoj që do të bëjmë një zgjidhje shpejtë, të kujdesemi fillimisht për jetën e qytetarëve dhe mandej maksimalisht t’u dalim në ndihmë qytetarëve për të evituar dëmet nga kjo fatkeqësi natyrore që kanë ndodhë”, tha Hoti.

Ai përsëriti se do të themelohet një fond emergjent për t’u dalë në ndihmë familjeve që janë dëmtuar dhe të cilat janë në kushte të vështira ekonomiko-sociale.

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci bëri të ditur se si pasojë e vërshimeve 14 familje janë evakuar nga pronat e tyre ndërkohë fshati Dobroshevc mbetët i pa qasshëm.

“Deri më tani kemi pasur vërshime në disa fshatra në Shtubullovë, Çikatove të re, Poklek ku i kemi evakuuar rreth 14 familje me 47 familjarë. Sot jemi pranë urës në Dobroshevc ku e kemi të bllokuar gjithë fshatin për shkak se ura ka ra si rezultat i prurjes së mëdha të ujit, për shkak të reshjeve, nga ora 11 dhe 12 e natës, sidomos rreth orës 3 dhe 4 reshjeve të mëdha, ka ardhur deri të kjo fatkeqësi natyrore”, tha ai.

Aty Forca e Sigurisë së Kosovës ka dërguar ekipet për t’u dalë në qytetarëve.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Anton Quni tha se e kanë ngritur gatishmërinë e njësive të specializuaa të FSK-së, që prej datës 6 janar ku është paralajmëruar për vërshime.

Angazhimi i parë i tyre ka qenë në Gjakovë ku kanë evakuar banorët e rrezikuar për në Aeroportin e Gjakovës.

“Kemi pasur shumë angazhime të tjera në regjionin e Fushë Kosovës për shpëtimin dhe evakuimin e disa qytetarëve, guri i zi komuna e Klinës, kemi ndihmuar QKUK0në repartin e Pumologjisë që mos të vërshohet nga ujërat, po ashtu edhe Qendrën e Forenizikës dhe për momentin një ekip është në vlerësim të situatës në regjionin e Vushtrrisë. Në çdo komunë janë dërguar njësitë nga kompania për operacione me civil, janë duke vlerësuar situatën dhe të gatshme që t’u asistojnë institucioneve ku ka nevojë.

Vërshimet në Kosovë kanë filluar javën e kaluar, si pasojë e tyre disa familje janë ngujuar në shtëpitë e tyre ndërkohë janë dëmtuar prona e rrugë në shumë komuna të Kosovës.

Back to top button