​Incidenti në takimin Ponte Prizren- Peja, vjen reagimi i FBK-së

 

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) ka dënuar ashpër incidentin që ka ndodhur të martën mbrëma në ndeshjen e pestë gjysmëfinale të play-offit ndërmjet Ponte Prizrenit dhe Pejës, duke thënë se një gjë e tillë i ka vënë hije të keqe një edicioni të mrekullueshëm të basketbollit këtë vit në Kosovë.

“Ky incident dhe skenat që prodhoi ai, e të cilat në terrenet tona nuk i kemi parë tash e pesëmbëdhjetë vite, janë të papranueshme për Federatën e Basketbollit të Kosovës. Incidentet e tilla nuk kanë vend në terrenet e basketbollit dhe Federata e Basketbollit e Kosovës dënon rëndë këtë ngjarje të errët dhe akterët e përfshirë”, thuhet në reagim.

Federata e Basketbollit e Kosovës bën me dije se ka reaguar ndaj këtij incidenti menjëherë dhe komisari i Garave ka nxjerrë vendimet meritore për të gjithë akterët e ngjarjes.

“Pas analizimit të incizimeve shtesë, të cilat nuk kanë janë shfaqur në publik, por janë ndarë me autoritetet përkatëse, federata ka nxjerrë vendime të dhimbshme, por të domosdoshme. Është për të ardhur keq që në një stinor të përkryer sportiv, në të cilin kemi parë nivelin më të lartë të konkurrueshmërisë mes skuadrave pjesëmarrëse në Superligë në historinë e saj dhe në të cilin kemi qenë dëshmitarë të një shpërthimi të serishëm të basketbollit dhe shikueshmërisë së tij, ekipi lider i pjesës së rregullt të kampionatit duhet të privohet nga mundësia për finalen me madhe për shkak të reagimit të pamatur të disa individëve të papërgjegjshëm që cenuan terrenin jo më shumë se njëzet minuta para përfundimit të ciklit gjysmëfinal”, thuhet më tej në reagim.

Disa orë pas publikimit të vendimeve lidhur me incidentin në Prizren, FBK ka njoftuar Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport për vendimet e nxjerra nga organet e saj, ndërsa sot ka raportuar para Këshillit Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Sport, nga të cilët ka marrë përkrahje të fortë për reagimin e shpejtë dhe të rreptë ndaj incidentit.

FBK thotë se është e inkurajuar nga fakti që autoritetet policore dhe prokuroriale kanë ndërmarrë të gjithë hapat e duhur për të adresuar dhunën e shfaqur brenda palestrave tona, që ka rezultuar me identifikimin, procedimin penal dhe vendosjen nën mbajtje policore të disa akterëve të kësaj ngjarjeje të papranueshme, si masë e cila do t’i kontribuojë parandalimit të dhunës në terrenet e basketbollit.

FBK me këtë rast përsërit qëndrimin e saj kundër dhunës në sport dhe konfirmon se para stinorit të ardhshëm do të jetë edhe më strikte në të gjitha rastet e shfaqjes së dhunës, për t’u siguruar që asnjë person që ushtron dhunë në terrenet e basketbollit të mos kalojë i pandëshkuar./21Media

Back to top button