​Komisioni Hetimor për energji kërkon dokumente shtesë nga KGJK-ja, kundërshton Vetëvendosje

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Kosovës sot miratoi planin e veprimit.
Derisa pas kësaj Komisioni e vazhdoi punën pa praninë e mediave, për shqyrtimin e CV-ve të ekspertëve të cilët do të angazhohen nga komisioni.
Në fillim, kryetari i këtij komisioni, Driton Selmanaj, kërkoi që t’i kenë dokumentet e nevojshme edhe nga Këshilli Gjyqësor dhe Institucioni i Avokatit të Popullit nëse ka pasur elemente të diskriminimit në kohën kur është marrë vendim për shtrenjtim e tarifave të energjisë elektrike.
“Ne s’mundemi tash Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit me iu kërkuar aktgjykimin për masën e përkohshme pse kanë marrë ata vendim për këtë çështje. Por, autoritet mbi ta është KGJK-ja për dhënien e dokumenteve, kështu që jo që ne do t’i thërrasim në raportim ata, por do t’i shfrytëzojmë ne për t’i lexuar me kujdes dhe për të parë se si kanë ardhur deri te vendimi për shtrenjtim dhe pse kanë ardhur deri tek ai vendim. Kështu që me i parë si dokumente nuk na pengon asgjë. Përfshirë këtu edhe avokatin e popullit, ata kanë bërë një analizë, një dokument në lidhje nëse ka pasur elemente të diskriminimit gjatë vendim marrjes apo jo”, tha Selmanaj.
Ndërsa shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha se dokumentet nga Këshilli Gjyqësor dhe nga Institucioni i Avokatit të Popullit duhet të hiqen për hetim në këtë fazë.
“Sa i përket kërkesës për dokumente tek institucionet të cilat janë të pavarura, besoj që vendimi i Gjykatës Themelore dhe i Gjykatës së Apelit është vendim publik. Besoj që ne për trajtim në kuadër të asaj çështjes që trajtohet në Komision i kemi të mjaftueshëm përderisa nuk ka trajtim të materies me të cilën është kërkuar të ndalet procesi i tarifës. Pra ne kemi vetëm një vendim që është një ndalesë administrative, por nuk ka trajtim përmbajtjesor të materies. Në situatën aktuale, dhe nga përvojat e më hershme edhe në Komisionet hetimore, besoj që është edhe Këshilli Gjyqësor, edhe Avokati i Popullit duhet të hiqen në këtë fazë”, tha ajo.
Përkundër asaj që tha Kusari Lila, kolegu i saj opozitar nga PDK-ja, Ferat Shala tha se Institucioni i Avokatit të Popullit do të ndihmojë procesin hetimor për tarifat.
“Avokati I Popullit mund ta ndihmojë këtë proces, sepse ai ka nxjerrë disa opinione sa I përket diskriminimit dhe pikërisht për këtë, konsideroj që Avokati i Popullit do të duhej dhe nuk ka asgjë të keqe të jetë në një prej seancave tona për ta elaboruar vendimet në vazhdimësi, vetëm për element krahasimi”, tha ai Shala.
Me iniciativë të opozitës, veçmas të PDK-së, në fillim të muajt maj, Kuvendi i Kosovës ka formuar Komisionin Hetimor Parlamentar, lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Kosovës, i cili udhëhiqet nga deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj./KP

Back to top button