​Konstituohet Komisioni për MSA-në, kërkohet intensifikimi i punëve drejt zbatimit të saj

 
Është konstituar Komisioni i përbashkët Parlamentar për Stabilizim Asociim BE-Kosovë (KPSA), me ç’rast kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ftoi deputetët për bashkëpunim për avancimin e procesit integrues të Kosovës në Bashkimin Evropian.
Me rastin e konstituimit të këtij komisioni, deputetët e opozitës ishin kritikë për kohën e gjatë që u desh të kalonte deri në themelimin e këtij komisioni, teksa treguan gatishmëri për bashkëpunim.
Ndërsa kryeparlamentari Konjufca tha se tash nevojitet një shpejtësi krejtësisht e re për zbatimin e Marrëveshjes së Sstabilizim Asociimit (MSA), pasi sipas tij, deri më tash është implementuar shumë ngadalë.
Ai theksoi se implementimi i këtij procesi nuk është i njëanshëm, por është një ndër proceset më të rëndësishme që realizohen bashkë me Bashkimin Evropian.
Konjufca kërkoi unitet politik në këtë drejtim, pasi siç tha ai, kjo nuk është një garë politike, por nevojë që Kosova të bëjë hapa sa më të shpejt drejt integrimit evropian.
Kryekuvendari u shpreh gjithashtu se parlamenti do të mbikëqyrë gjithmonë zbatimin demokratik te pakove të reformave në mënyrë që të implementohen për të mirën e qytetarëve të vendit.
“Kosova tashmë ka hyrë në fazën e mesme të periudhës kohore të zbatimit të MSA-së. Po ashtu, mund të konkludojmë që zbatimi deri më tash ka qenë goxha i ngadalshëm e ne kemi nevojë për një shpejtësi krejtësisht të re. Nuk kam dyshim që këtë shpejtësi do ta gjejmë në punën e palodhshme të këtij komisioni që po e themelojmë […] Kosova tashmë e ka planin kombëtar për zbatimin e MSA-së […] Po ju ftoj që të bashkëpunojmë më tutje në zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta për intensifikimin e punëve tona të frytshme ashtu që të avancojmë procesin integrues të Kosovës në BE”, tha Konjufca.
Kryetarja e këtij komisioni, Mimoza Kusari – Lila bëri të ditur se në përbërje të këtij komisioni janë 13 deputetë, dhe se të gjithë kanë zëvendësanëtarët.
“Në përbërje të këtij komisioni janë 13 deputetë të Kuvendit të Republikës të Kosovës[…] Takimi i radhës i këtij komisioni është paraparë të mbahet në nëntor”, tha ajo.
Kurse nënkryetari i këtij komisioni, deputeti i PDK-së, Elmi Reçica konsideroi se konstituimi i këtij komisioni është vonuar dhe se duhet të përshpejtohet puna në mënyrë që në nëntor të mbahet takimi i përbashkët me BE-në.
“Për shkak të rrethanave dhe aktiviteteve të tjera është pak i vonuar konstituimi komisionit dhe po shihet se janë grumbulluar shumë punë dhe ka shumë aktivitete e angazhime. Unë po besoj që pas konstituimit do të kemi një përshpejtim të angazhimeve dhe punëve dhe të shkojmë drejt takimit të përbashkët të nëntorit, i cili është shtyrë shumë”, u shpreh ai.
Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri tha se Kosova duhet të tregojë seriozitet në zbatimin e MSA-së, porse përgjegjësi në punë kërkoi edhe nga kolegët e tij deputetë.
“Duhet ta tregojmë përgjegjshmërinë tonë, seriozitetin tonë […] Ne duhet të dakordohemi a do ta bëjmë këtë komision të funksionojë siç ka funksionuar? A do të jetë roli ynë formal për zbatimin e kësaj rregullore […] Kryetar kërkoj prej teje të krijosh ekipe, të tregohet seriozitet. Së pari sot u vonuat 16 minuta në takim, shumica e anëtarëve nuk kanë ardhur, nuk është faji yt, por duhet të ndërtojmë një proces të punës dhe jo proces i punës me qenë vetëm 2 takime”, tha Tahiri.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Armend Muja tha se është shqetësuese sesa ngadalë është zhvilluar ky proces. Ai tha se ky cikël nuk duhet të vazhdojë këtu.
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj u interesua të dijë për arsyet e vonesës së konstituimit të këtij komisioni.
“Pse kjo shtyrje dhe pse kjo vonesë e krijimit të këtij komisioni kaq të rëndësishëm për vendin dhe jo për subjektet politike? […] Mendoj se duhet ta shtojmë dinamikën e takimeve. Duhet të shihet mënyra e shpejtë e vendosjes së komunikimit, se çdo shtyrje ka me qenë pengesë në ecjen e Kosovës”, tha Zemaj.
Edhe deputetja Ariana Shoshi theksoi vonesën e konstituimit të këtij komisioni duke thënë se ky është dashur të jetë takimi i pestë i këtij komisioni.
Ndërsa deputeti i AAK-së, Pal Lekaj tha se puna e parë që duhet të bëhet është që të ftohen ministrat që të tregojnë se deri ku ka shkuar implementimi i planit të veprimit.

Back to top button