​Numri i aksidenteve me fatalitet mbetet shqetësues

Në ambientet e Byrosë Kosovare të Sigurimeve po mbahet Konferenca e tetë vjetore ndërkombëtare “Mobiliteti i mençur  e ardhmja e transportit të gjelbër dhe të qëndrueshëm”, e cila ka të bëjë për rregullimin e infrastrukturës rrugore.
Drejtori i Divizionit të Trafikut nga Policia e Kosovës, nënkolonel Jeton Rexhepi, tha se numri i aksidenteve rrugore me fatalitet viteve të fundit është shqetësues.
Ai përmendi se vetëm vitin e kaluar në rrugët e Kosovës kanë humbur jetën 111 persona.
“Kanë qenë 111 persona të vdekur, 46 ose 41.4 për qind kanë qenë shoferë, ku prej tyre kanë qenë pesë çiklistë, dy motoçiklistë dhe dy traktoristë, 35 apo 31.5 për qind pasagjerë dhe 30 apo 27 për qind kanë qenë këmbësorë”, ka thënë ai.
Rexhepi ka folur edhe rreth planeve që ka Policia e Kosovës për vitin 2022 lidhur me parandalimin e aksidenteve, siç janë radarët mobil, lëshimi në mënyrë elektronike të gjobave.
Susanna Zammataro, drejtoreshë e përgjithshme e Federatës Ndërkombëtare të Rrugëve në Zvicër, tha se si organizatë janë duke punuar për rregullimin e infrastrukturës, e cila do të ulë numrin e aksidenteve me fatalitet.
“Ne bëjmë mbledhjen e të dhënave dhe të gjitha këto detaje sa i përket sigurisë. Statistikat i kemi për 64 vende dhe të dhënat përdoren nga organizata të ndryshme. Shtylla e aktiviteteve është siguria në rrugë,” ka thënë ajo.
Drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimit, Sami Mazreku tha se dëmet si pasojë e aksidenteve po u shkaktojnë dëme të mëdha. Ai shtoi se në bashkëpunim me Kolegjin Tempulli dhe Policinë e Kosovës këtë vit do të organizojnë kampanja të shumta për parandalimin e aksidenteve./kp

Back to top button