​Prokuroria po shqyrton akuzat ndaj Bulliqit për ndërtimet rreth liqenit të Batllavës

Ndërtimet në zonën përreth liqenit të Batllavës janë shndërruar në çështjen kryesore në Podujevë e që u pretendua se u bë mollë sherri edhe në raportet mes kryetarit të kësaj komune, Shpejtim Bulliqi dhe ish-drejtorit të Inspeksionit, Besnik Mulliqi, që tashmë është shkarkuar.
Mulliqi pretendoi se shkarkimi i tij erdhi pas aksionit të rrënimeve në fshatin Orallan, saktësisht në zonën e liqenit të Batllavës.
Madje gjatë paraqitjeve në publik, ai u shpreh se Bulliqi i kishte kërkuar që t’i lejojë mbindërtimet në qendrën e qytetit të Podujevës dhe të mos i fillojë rrënimet e ndërtimeve në Orllan.
“Shkarkimi ka ndodhur si pasojë e përpjekjeve të mia të vazhdueshme për ta mbrojtur atë zonë (liqeni i Batllavës) dhe jo vetëm. Po, është e vërtetë që kemi pasur mospajtime të thella me kryetarin e komunës së Podujevës. Në njërën anë unë në mbrojtje të ligjit dhe në anën tjetër ‘Ai’ në tentim për të më penguar”, shkroi Mulliqi në Facebook.
Prokuroria e Prishtinës ka konfirmuar për media se tashmë janë duke i shqyrtuar të gjitha pretendimet e ish-drejtorit Mulliqi.
“Prokuroria është duke i shqyrtuar të gjitha pretendimet e dhëna në opinionin publik nga z. Mulliqi, si dhe do të veprojë konform dispozitave ligjore në fuqi”, u tha në përgjigjen e shkurtër të prokurorisë.
Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, deklaroi sot se mirëpret çdo hetim të prokurorisë në lidhje me ndërtimet përreth liqenit të Batllavës, pasi sipas tij, e vërteta duhet të zbardhet.
“Në media po qarkullon lajmi se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka filluar hetimet për ndërtimet pa leje në zonën përreth liqenit të Batllavës. I gëzohem këtij lajmi dhe mirëpres çdo hetim, me qëllim që të zbardhet e vërteta lidhur me këtë çështje”, shkroi Bulliqi.
Ai ka shprehur gatishmërinë e plotë, që si institucione lokale, të bashkëpunojë ngushtë me prokurorinë për zbardhjen e të vërtetës për ndërtimet ilegale në atë zonë.

Back to top button