​Qentë endacakë, problem i pazgjidhur për qytetarët

 

Problemi me qentë endacakë në komunën e Prishtinës po vazhdon tash e sa vite. Agjencioni i Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) vitin e kaluar mori buxhet në vlerë 1.3 milion nga Qeveria për vaksinimin dhe trajtimin mjekësor të qenve endacakë. Pavarësisht kësaj, qytetarët thonë se numri i qenve endacakë nëpër rrugë vazhdon të jetë i lartë dhe se ata ndihen të rrezikuar sidomos në kohë dimri.

Gëzim Berisha ka thënë për KP, se qentë endacakë vazhdojnë të jenë problem për qytetarët, andaj kërkon arritjen e një zgjidhje të përhershme, duke ditur rrezikun që ata sjellin edhe për fëmijët e vegjël, ku në të kaluarën ka pasur raste të sulmeve dhe lëndimeve fizike.

“Ndjehemi të rrezikuar të gjithë prej tyre. Një fjalë popullore thotë se “qenit nuk i zihet besë”, kështu që pavarësisht vaksinimit ka mundësi që ata nganjëherë janë të tërbuar, andaj është më mirë të gjendet ndonjë vend për strehimin e qenve”, tha ai.

Edhe qytetari tjetër Hasan Ramadani thotë se strehimi i qenve endacakë në një vend të caktuar do të ishte një zgjidhje permanente. Ai tregon se si në dy raste kishte shpëtuar një grua, e cila po sulmohej nga qentë endacakë.

“Dy fëmijëve ua morën jetën qentë endacakë. Qentë duhet vaksinuar që të mos bëhen agresivë, sidomos shkaku i fëmijëve të vegjël. Ata gjatë dimrit janë më agresivë, nuk kanë çfarë të hanë, lypin andej-këndej nuk rehatohen. Do të ishte mirë sikur të mblidheshin diku… Dy herë unë kam shpëtuar një grua në mëngjes që të mos e kafshojnë qentë. Ata janë të rrezikshëm sidomos për fëmijët”, tha ai.

Ndërsa Safet Gashi tregon një rast kur ai kishte parë se si qentë endacakë sillen nga persona të pandërgjegjshëm në Kodrën e Trimave.

“Më shumë po ka te Lagjja e Spitalit. Po i ndjekin fëmijët e shkollës… Te gjykata më kanë dalë 30 qen, e kam zhveshur xhaketën dhe i kam frikësuar. Njëri i ka lëshuar 20 qen prej kamionit, i ka mbledhur qentë e katundit dhe i ka lëshuar në Vranjevc”, tha ai.

Qentë endacakë nuk janë problem me të cilin po përballen kryeqytetasit. Fiton Maliqi nga Fushë Kosova thotë se një gjendje e ngjashme mbretëron edhe në këtë komunë dhe rreziku më i madh është për fëmijët e vegjël.

“Situata është më e rrezikshme për fëmijë, pleq, në krejt qytetet është i njëjti problem… Motrën time e kanë ndjekë. Është frikë e madhe për një njeri. Mund të ketë edhe lëndime trupore. Qentë duhet të dërgohen në një vend të posaçëm”, tha ai.

Edhe Lumnije Softolli kërkon të ndërmerret diçka për qentë endacakë, e cila thotë se ata janë gjithkund dhe se po duhet të ruhet të mos u afrohet afër.

“Kudo po ka qen, po kemi frikë të dalim, sidomos me fëmijë, në çfarëdo ore që del, boll shumë ka. Po duhet të tregojmë kujdes, mos të afrohemi… Duhet ndërmarrë diçka për t’i larguar qentë endacakë nga rrugët dhe parqet. Zakonisht tash koha e mirë, po kemi frikë” , tha Softolli.

Sipas të dhënave të Policisë rajonale për Prishtinë, numri i rasteve të sulmeve nga qentë endacakë në vitin 2020 ka qenë më i vogël, përkatësisht 10 raste, derisa në vitin 2018 kishte pasur 20 raportime për sulme nga qentë endacakë. Vitin e kaluar janë regjistruar tri raste kur qytetarë të ndryshëm janë sulmuar nga qentë me pronarë.

Vlora Konushefci, qytetare nga Prishtina, kishte bërë thirrje që të paditet Komuna e Prishtinës pasi qentë endacakë sulmuan djalin e saj 12-vjeçar.

Vitin e kaluar, edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti kishte bërë thirrje për zgjidhjen e problemit të qenve endacakë. Ai ka thënë se presidenti, kryeministri dhe deputetët duhet t’ua japin përgjegjësinë komunave në lidhje me zgjidhjen e problemit të qenve endacakë, ose të shpallin gjendje emergjente për të trajtuar situatën alarmante në çdo komunë të Kosovës.

Agjensioni i Ushqimit dhe Veterinarisë në vitin 2018 filloi për herë të parë vaksinimin dhe trajtimin e qenve endacakë. Sipas Fondacionit për të drejta të kafshëve, rreth 14.000 qenë endacakë janë vaksinuar dhe trajtuar nga kompania “Mala Farm” në vitin 2018.

Në vitin 2020 u kontraktuan veterinari në të gjitha qytetet, projekt ky në vlerë 1.3 milion euro nga AUV, i cili parasheh vaksinimin dhe trajtimet e të nevojshme mjekësore të qenve endacakë. Të gjithë qentë të cilët do të trajtohen shënjohen me numra identifikues.

“Ligji kërkon që qentë endacakë të trajtohen dhe të kthehen në rrugë. Vetëm veterinari i certifikuar mund të vendosë për eutanazimin e qenit dhe vetëm në qoftë se është i sëmurë. Përkundër qindra-mijëra eurove të shpenzuara edhe nga Komuna kjo çështje nuk mund të zgjidhet nga komunat veç e veç, andaj kjo kërkon strategji gjithëpërfshirëse dhe hapa emergjentë”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

Back to top button