​Rimëkëmbja ekonomike do të varet shumë nga masat qeveritare

Në vazhdën e takimeve të rregullta pas shpërthimit të pandemisë COVID-19, Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) Fehmi Mehmeti priti drejtuesit e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë Arian Zeka dhe të Odës Ekonomike të Kosovës Berat Rukiqi.

Në komunikatën e lëshuar për media thuhet se gjatë takimit u shkëmbyen ide rreth programit të rimëkëmbjes, e me këtë rast edhe të nevojave dhe prioriteteve të ndërmarrjeve në Kosovë.

Guvernatori Mehmeti tha se pas përfundimit të pandemisë dhe largimit të masave kufizuese, rimëkëmbja ekonomike do të varet shumë nga masat ekonomike të ndërmarra gjatë dhe pas pandemisë. Ai foli për masat që duhen zbatuar në mbështetje të ekonomive familjare dhe ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, duke theksuar rolin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) në lehtësimin e qasjes në financa. Ai tha se Kosova për fat të mirë ka një nivel të ulët të borxhit publik në raport me BPV-në gjë që mundëson fleksibilitet për sa i përket pakos së rimëkëmbjes.

Ndërsa drejtuesit e odave ekonomike theksuan mes tjerash edhe nevojën e një koordinimi më të ngushtë ndërmjet të gjithë akterëve të rëndësishëm me qëllim të një rikuperimi të shpejtë.

Ata u shprehën se ndër prioritetet më të rëndësishme mbeten injektimi i mjeteve likuide në ekonomi, si dhe përkrahja e sektorëve aktiviteti i të cilëve do të vazhdojë të jetë i kufizuar edhe pas fazës së pandemisë, ndërsa roli i bankave komerciale në këtë aspekt është tejet i rëndësishëm.

Back to top button