Komuna e Vitisë ka njoftuar se pas tragjedisë në Pozheran, dita e premte është shpallur ditë zie në këtë komune si dhe sonte nuk do ketë as festime në sheshin e qytetit.

“Ngjarja tragjike e familjes Zuka, ku mbetën të vrarë 4 anëtarë të kësaj familje nga Pozherani, ka prekur thellë Institucionet komunale dhe qytetarët e komunës së Vitisë. Qeveria komunale, në mbledhjen e mbajtur sot, ka vendosur që dita e premte më 1 janar 2021, kur do të bëhet edhe varrimi i katër anëtarëve të familjes Zuka, të jetë ditë zie”, thuhet në njoftimin e Komunës.

Gjithashtu, Komuna përmes një njoftimi ka thënë se është marrë vendim që të anulohen gjitha aktivitetet festive për sonte në ndërrimin e moteve në qendër të qytetit në Viti, e as nuk do të ndezën fishekzjarre si viteve të tjera.

Mbrëmë rreth orës 18:00 në Pozheran të Vitisë, ka ndodhur një vrasje e katërfishtë në një familje dhe autoritetet po dyshojnë se kryefamiljari ka vrarë gruan, dy djemtë dhe më pas edhe veten./21Media