Gjykata Themelore në Ferizaj sot ka bërë të ditur se është caktuar masa e paraburgimit prej 1 muaji ndaj 8 zyrtarëve komunalë.

“Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve N.A., B.B., H.B., S.M., R.U., A.A., A.B., dhe B.Q., shtetas të Kosovë Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se secili veç e veç kanë kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), veprën penale marrja e ryshfetit nga neni 421 paragrafi 2 të KPRK-së, ndërsa të pandehurit S.M., A.B., A.A., B.B., dhe H.B., dyshohen edhe për kryerjen e veprës penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së.”, ka bërë të ditur gjykata.

Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, Mustaf Tahiri, sipas komunikatës, ka vërtetuar faktin të pandehurit gjatë vitit 2020, në Ferizaj, në cilësinë e personave zyrtar si roje pylli dhe teknik të pylltarisë pranë Drejtorisë së Bujqësisë dhe Pylltarisë në Komunën e Ferizajt, duke shfrytëzuar detyrën e tyre zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete dhe për personat e tjerë, me dashje nuk kanë kryer detyrat e tyre të domosdoshme të përcaktuara me ligj për mbrojtjen e pyjeve, përgjegjësitë dhe obligimet e rojës së pyllit.

“Edhe përkundër faktit se janë të obliguar që në momentin kur hasin dëmtuesit e pyjeve duke pre dru në mënyrë të kundërligjshme, t’iu shqiptojnë fletëparaqitje, të njëjtit nuk e bëjnë fare një gjë të tillë por arrijnë marrëveshje me ta dhe si kundërvlerë për mos shqiptimin e fletëparaqitjeve, marrin shuma të ndryshme të të hollave nga ata duke i shkaktuar kështu dëm buxhetit të Republikës së Kosovës, përkatësisht Drejtorisë për Bujqësi dhe Pylltari në Komunën e Ferizajt.

Ndërsa të pandehurit S.M., A.B, A.A, B.B., H.B., dyshohet se kanë kryer veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së, përkatësisht tek të dyshuarit me rastin e kontrollit nga ana e policisë në shtëpitë e tyre janë gjetur dhe sekuestruar gjashtë (6) armë gjuetie; dy (2) armë zjarri (revole); gjashtë (6) karikatorë të revoles; dy (2) karikatorë të AK-47; njëzet (20) fishekë cal. 9mm; tridhjetë –njëzetë (20) copë; tridhjetë (30) fishekë 7.65; katër (4) fishekë cal.12 mm –katër; trembëdhjetë (13) telefona mobilë; një (1) çekan për damkosje si dhe fletore gjepi, fletëparaqitje, bllok evidence, raporte, formularë dhe të tjera.”, ka bërë të ditur gjykata përmes komunikatës.

Palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij./21Media