Gjykata Themelore sot ka caktuar masën e paraburgimit prej 1 muaj ndaj shoferit të traktorit, i cili ishte i përfshirë në aksidentin që ka ndodhur të mërkurën në Podujevë, nga i cili ka vdekur një 19 vjeçar.

Shoferit të traktorit, i cili ishte arrestuar i është caktuar masa e paraburgimit për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale rrezikim i trafikut publik.

“Gjykata ka vlerësuar se masa e paraburgimit është masë adekuate për zhvillimin e papenguar në këtë çështje penale, pasi që ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjendet i pandehuri N.S. në liri ekziston rreziku i ikjes së tij, po ashtu mund t’i asgjësojë, fsheh, ndryshoj apo falsifikoj provat e veprës penale duke ndikuar në të dëmtuarit – dëshmitarët”, është bërë e ditur në komunikatën e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

I pandehuri N.S. me datë 09.12.2020 në fshatin Shajkovc, komuna e Podujevës ka shkaktuar një aksident komunikacioni ku si pasojë e këtij aksidenti ka ndërruar jetë i ndjeri A.B., një person është nën mjekimin intensiv në QKUK, ndërsa shtatë persona tjerë kanë pësuar lëndime trupore.

Palët kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.