Conte: Të bllokojmë Ibran

Mourinho nuk u kujdes aspak për të ruajtur standartin dipomatik

“Konflikti im me Jose Mourinhon është thjesht në aspektin sportiv”. Ky është thelbi i deklaratës së Antonio Contes në prag të supersfidës Manchester United-Chelsea. Trajneri italian që polemizoi jo pak në sfidën e parë të kampionatit me portugezin për mënyrën se si festoi gjatë fitores 4-0, udhëton i qetë drejt “Teatrit të ëndrrave” pasi situata është normalizuar dhe siç e pranon edhe ai vetë, e gjithë skuadra është në dispozicion të tij. Në vijim ai ndalet te sfida dhe vizita e parë si trajner në “Old Trafford” ku do t’i duhet të bllokojë edhe një lojtar si Zlatan Ibrahimovic.
“Si trajner është hera e parë që do të luaj në atë stadium. Mbaj mend që në Old Trafford krijohet një atmosferë fantastike. Do të ndeshemi me një ekip të madh dhe për çdo trajner është kënaqësi të përjetojë sfida të tilla. Gjithsesi unë mendoj se kam lojtarët më të mirë të botës por do të ndeshemi me një kundërshtar shumë të fortë që kërkon me çdo kusht kualifikimin në zonën Champions. Ibra? Po kalon momente shumë pozitive. Është një lojtar i madh dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për finalizimin. Duhet të organizohemi mirë në mbrojtje sepse në zonën e rreptësisë bëhet shumë i rrezikshëm. Nuk kam asnjë problem personal me Mourinhon. Është normale që gjatë ndeshjes të ketë konflikt mes nesh”.

Në kampin kundërshtar, Mourinho nuk u kujdes aspak për të ruajtur standartin dipomatik duke thumbuar skuadrën që deri pak muaj më parë e drejtonte si trajner.

“Ka disa arsye se përse ata kryesojnë kampionatin dhe nuk është thjesht sepse janë të freskët. Kanë lojtarë me cilësi të larta por luajnë edhe si skuadër. Kanë një stil të veçantë loje dhe dinë ta bëjnë shumë mirë punën e tyre. Jo çdo skuadër arrin të mbrojë me 11 lojtarë siç bëjnë ata. Jo çdo skuadër është aq konkrete në kundërsulm. Chelsea ka lojtarë që mund t’i zgjidhin ndeshjet të çdo moment”.

Back to top button