Listës së komunave për shqiptimin e gjobave i prinë komuna e Pejës

Listës së komunave për shqiptimin e gjobave i prinë komuna e Pejës

Organizata Let’s Do It ka vazhduar monitorimin e zbatimit të Udhëzimit Administrativ për Gjoba Mandatore nga inspektorët komunal mjedisor dhe qendror dhe shqiptimin e gjobave për ndotësit.

Përmes një komunikate të dërguar për media, Let’s Do It Kosova ka bërë të ditur se në të gjitha komunat e Kosovës gjatë muajit shkurt janë shqiptuar gjithsej 106 gjoba.

Krahasuar me të dhënat e muajit janar [123], këtë muaj janë shqiptuar 17 gjoba më pak [106], përderisa gjatë muajit dhjetor ishin shqiptuar 84 gjoba, ndërsa gjatë nëntorit ishin shqiptuar 89 gjoba.

“Bazuar në monitorimin e Let’s Do It Kosova, del se gjatë shkurtit më së shumti gjoba kanë shqiptuar inspektorët e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Gjithsej, 47 gjoba për ndotësit e mjedisit.Ndërsa, listës së komunave për muajin shkurt iu prin Komuna e Pejës, me 24 gjoba të shqiptuara, pasuar nga Komuna e Prizrenit – inspektorët e së cilës kanë shqiptuar gjashtë gjoba gjatë shkurtit. Lista vazhdon me Komunën e Ferizajt, Klinës dhe Deçanit, të cilat kanë shqiptuar nga katër gjoba gjatë shkurtit”, është bërë e ditur në komunikatë.

Tri gjoba për ndotësit e mjedisit i ka shqiptuar Komuna e Suharekës, ndërsa nga dy gjoba kanë shqiptuar komunat, Vushtrria, Mitrovica, Gjilani, Gjakova dhe Rahoveci. Ndërsa, nga një gjobë kanë shqiptuar komunat: Shtimja, Lipjani, Skenderaj dhe Drenasi.

Let’s Do It Kosova ka theksuar se komunat që nuk kanë shqiptuar fare gjoba gjatë muajit shkurt janë: Prishtina, Fushë Kosova, Obiliqi, Podujeva, Vitia, Kamenica, Kaçaniku, Hani i Elezit, Istogu, Juniku dhe Malisheva.

Nga të dhënat e monitorimit rezultohet se lloji më i shpeshtë i gjobave të shqiptuara ishte ai për hedhjen e mbeturinave dhe materialeve ndërtimore jashtë vendeve të caktuara.

“Edhe gjatë muajit shkurt, disa nga problemet e identifikuara nga inspektorët për zbatimin e këtij Udhëzimi Administrativ kanë qenë mungesa e automjeteve që u duhen inspektorëve për të kryer inspektimin, si dhe mungesa e blloqeve për shqiptimin e gjobave. Ndërsa, dukuri shqetësuese mbetet fakti se inspektorët raportojnë se nganjëherë nuk mund të shqiptojnë gjoba, shkak i afërsisë që kanë ndotësit”, është bërë e ditur në njoftimin për media.

Udhëzimi Administrativ për Gjoba Mandatore është nënshkruar gjatë Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” dhe ka synim reduktimin dhe eliminimin e ndotjes së mjedisit dhe shëndetin e njeriut, mbrojtjen e sipërfaqeve publike dhe private përmes menaxhimit të mbeturinave.

Let’s Do It ka njoftuar se monitorimi i zbatimit të Udhëzimit Administrativ për Gjoba Mandatore do të vazhdojë edhe muajve në vijim, kur edhe do të bëhen publike të gjitha të dhënat. /21Media