11 fëmijë me Covid-19 në Shqipëri

Në Shqipëri nga Covid-19 aktualisht po marrin shërbim mjekësor 11 fëmijë, kryesisht të moshave 2 muaj deri në 1 vjeç. Fatmirësisht gjendja e tyre nuk është e rënduar dhe qëndrimi në spital është më i shkurtër. Ndërsa në spitalin Covid 3 numri i pacientëve është në rritje,  me nga 6-8 persona në ditë.
Në Infektivin e Pediatrisë janë të shtruar 11 fëmijë të prekur me Covid, nga të cilët pjesa më e madhe të grupmoshës 2 muaj deri 1 vjeç.
Gjendja e tyre, sqaron shefja e Pediatrisë  Gjeorgjina Kuli se është e qëndreshme dhe fatmirësisht nuk ka fëmijë në situatë të rëndë.
“Në përgjithësi situata klinike është në gjendje të mesme.”
Numri i fëmijëve aktiv me Covid është  3-4% të rasteve totale të të infektuarve.
“Momentalisht grupmoshat 0-14 vjeç ka rreth 1500 fëmijë pozitivë për 100 mijë banorë.”
Edhe simptomat kanë ndryshuar, sqaron Kuli.
“Ka të vjella, diarre, temperatura e lartë është prezente.”
Sa i përket vaksinimit të fëmijëve, kanë nisur diskutimet por asgjë nuk është vendosur.
“Janë hapur opsionet e përcaktimit të kritereve dhe protokolleve për vaksinimin e fëmijëve, ende nuk është vendosur. Bëhet fjalë për moshën 12 vjeç deri në 18.”
Ndërsa në spitalin Covid 3 pacientët janë nga të gjitha moshat, tregon mjekja infeksioniste Esmeralda Meta.
Gjendja e pacientëve është e moderuar deri në e rëndë, ndërsa raportohet për një shtim të shtrimeve në spitalet Covid.
“Në dyjavëshin e fundit ka pasur një trend në rritje, konstant por në rritje, të numrit të të shtruarve. Luhatet nga 6-8 pacientë në ditë.”
Aktualisht po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor 152 pacientë, ndërsa rastet aktive ditore qëndrojnë nën shifrën 1000./oranews

Back to top button