12 vjeçarja u bë mësuese kur shkollat u mbyllën nga pandemia
16 Shkurt 2021
Rreth 30 fëmijë mblidhen çdo ditë për mësime shkollore në një rrugë të ngushtë fshati në provincën veriore Dakahlia në Egjipt.
Mësuesja e tyre është Reem El-Khouly, 12 vjeçe, e cila filloi t’u ofrojë mësim fqinjëve të saj më të vegjël kur shkollat në Egjipt u mbyllën për shkak të pandemisë së koronavirusit.
“Unë jam 12 vjeç dhe jam në klasë të shtatë. Mua më pëlqen të jap mësim për fëmijët e lagjes sepse shkollat janë të mbyllura”, tha Reem.
Kur shkollat në provincën veriore Dakahlia u mbyllën për shkak të COVID-19, fëmijët e kalonin kohën duke luajtur në rrugë. Me pak ndihmë Reem vendosi që të bëhej mësuesja e tyre.
“Një kompani më ndihmoi mua duke më sjellë një dërrasë të bardhë dhe lapsa dhe fillova t’i mësoj ata. Unë zgjohem në mëngjes, them lutjet e mia dhe i thërres për të filluar mësimin. Unë i mësoj atyre arabisht, matematikë dhe anglisht”, tha tutje 12 vjeçarja.
Reem shpreson të bëhet një mësuese matematike kur të rritet.