120 karroca janë vendosur sot në sheshin “Skënderbeu”, e mesazhi i këtij instilacioni është që duhet të bëhet më shumë në respektimin e të drejtave të fëmijëve me aftësi të kufizuara.

E numri i karrocave është zgjedhur të jetë sa numri i deputetëve të Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që të deputetët të kenë parasysh të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuara.

Ky instilacion është bërë nga Zyra e UNICEF -it në Kosovë dhe nga Handikos.

Rijad Mehmeti, 16-vjeçar, ka kërkuar që institucionet e vendit të bëjnë më shumë për fëmijët me aftësi të kufizuara.

“Mesazhi i këtij aktiviteti është i qartë që edhe ne të jemi sa më të barabartë me të tjerët. Sa bëjnë institucionet për neve kisha thënë që nuk është mjaftueshëm, munden edhe më mirë që me qenë ne të barabartë, si për shembull qasja fizike… sepse qasja fizike është pikërisht një ndër shkaqet më të mëdha e cila ua ka pamundësuar fëmijëve me aftësi të kufizuara me lëvizë lirshëm”, ka deklaruar ai.

Drejtori i Handikos, Afrim Maliqi është shprehur se përmes këtij instilacioni duan të dërgojnë mesazhin tek 120 deputetët, që të bëjnë më shumë për të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuara.

“Personat me aftësi të kufizuara ju kanë përshtat më së lehti karantinës për shkak se gjithmonë janë të izoluar dhe gjithmonë janë në karantinë për shkak të mos mundësisë së qasjes apo lëvizjes së lirë. Kjo i dedikohet të gjithë popullatës dhe shoqërisë në ndërgjegjësimin e tyre, po në veçanti institucioneve tona dhe Kuvendit që në krijimin e ligjeve të merren parasysh gjithmonë të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuara, por edhe të rriturve në realizimin e të drejtave të tyre dhe në veçanti në krijimin e qasjes… Janë 120 karroca që iu dedikohen 120 deputetëve për të përçuar një mesazh që gjithmonë t’i kenë në konsideratë të drejtat e personave me aftësi të kufizuara”, ka thënë ai.

Sipas tij, në bazë të një hulumtimi që kanë bërë, ka dalë se Kosova i përmbush vetëm 30% të standardeve që kanë të bëjnë me të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në raport me legjislacionin evropian.

Sa i përket qasjes, ai tha se janë të plotësuara vetëm 6.7% të standardeve. Kjo sipas tij, tregon se sa janë të diskriminuar personat me aftësi të kufizuara në Kosovë.

Zëvendësshefi i UNICEF-it në Kosovë, Dren Rexha ka thënë se përmes këtij instilacioni dëshirojnë të përçojnë mesazhin që është koha e fundit që të realizohen të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuara.

“Kemi vendosur një instilacion me 120 karroca të fëmijëve me aftësi të kufizuara, ku secila prej tyre e ka edhe nga një çantë që simbolizon fëmijët me aftësi të kufizuara, të cilët do të duhej të ishin në shkollë dhe që nuk vijojnë mësimet. Mesazhi është që edhe në këto kohë pandemie ne duhet të mendojmë për fëmijët me aftësi të kufizuara. Është momenti i fundit që të gjithë së bashku, institucionet, sektori privat, shoqëria civile, të bëjmë të pamundurën që kur të kthehemi pas pandemisë në një situatë të re normale të sigurohemi që të kemi një shoqëri gjithëpërfshirëse, që do t’i realizojë të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuara”, ka shtuar ai.

Karrocat do të qëndrojnë për një javë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.