13 vjet më parë Fatmir Sejdiu ishte zgjedhur president

Sejdiu kishte qenë kandidati i vetëm i propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës

Të premten e 10 shkurtit të vitit 2006, Fatmir Sejdiu kishte marrë postin e presidentit të Kosovës. Me 80 vota për, 12 kundër dhe 17 të pavlefshme, Sejdiu ishte zgjedhur president pas tri rrathë votimesh.

Ai kishte qenë kandidati i vetëm i propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Kështu kryetari Sejdiu do të vazhdonte mandatin e ish-kryetarit, Ibrahim Rugova deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Në seancën solemne të Kuvendit për zgjedhjen e presidentit atëherë ishin të pranishëm 110 deputetë. Por, Sejdiu nuk mund ta përfundonte mandatin e tij pesë vjeçar, ashtu siç është e paraparë edhe me Kushtetutë të Kosovës.

Më 27 shtator të vitit 2010, ai kishte dhënë dorëheqje nga ky posti i presidentit pasi një vendim i Gjykatës Kushtetuese konstatonte se Sejdiu kishte bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës me mbajtjen e postit të presidentit dhe atij të kryetarit të LDK-së, ndonëse me funksione të ngrira.

Sejdiu e kishte bërë publik vendimin e tij për dorëheqje gjatë një konference për media, ku ishte shprehur se postin e presidentit e kishte ushtruar me përgjegjësi dhe përkushtim të plotë.

“Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës. Sot unë kam dhënë dorëheqje nga pozita e Presidentit të Republikës së Kosovës. Që nga 10 shkurti i vitit 2006, si President i Republikës së Kosovës dhe i të gjithë qytetarëve të saj, kam ushtruar këtë funksion me përgjegjësi, me përkushtim të plotë dhe ndërgjegje të pastër, gjithnjë duke pasur si udhërrëfyes themelor interesin e qytetarëve dhe të vendit tonë të dashur. Unë, tërë jetën time i kam respektuar institucionet që dalin nga vota e lirë e qytetarëve. Unë kam punuar për të realizuar vullnetin politik të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi dhe kam udhëhequr me përgjegjësi të plotë procesin e pavarësimit të vendit tonë”, kishte thënë atëherë Sejdiu.

Ai kishte shtuar se vendimin për dorëheqje e kishte marrë pikërisht për të respektuar Gjykatën Kushtetuese si instanca më e lartë të interpretimit të Kushtetutës së Kosovës.

Fatmir Sejdiu është lindur më 23 tetor 1951 në fshatin Pakashticë të Besianës, kurse jeton në Prishtinë. Ka të kryer Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës dhe ka fituar gradën e Doktorit të Shkencave Juridike në po këtë universitet.

Back to top button