Në Infektivë po trajtohen 55 pacientë të prekur me koronavirus

Në Infektivë po trajtohen 55 pacientë të prekur me koronavirus

14 pacientë me koronavirus janë në gjendje të rëndë, ndërsa dy prej tyre po trajtohen në kujdesin intensiv. Prej tyre bëhet fjalë edhe për një grua shtatzënë e cila ditë më parë kishte rezultuar pozitiv me koronavirus. Ndërkohë, janë 55 pacientë të cilët po trajtohen në Klinikën Infektive. Kështu bën të ditur infektologia Vera Berisha-Ndreja, e cila thotë se priten rezultatet gjatë ditës edhe për gjashtë të dyshuar të tjerë.

“Për momentin në Klinikën Infektive janë 55 pacientë të konfirmuar, me Covid pozitiv. Prej tyre në gjendje të rëndë janë 14 pacientë. I llogarisim pacientët te cilët janë me oksigjeno-terapi, ndërsa dy prej tyre janë në gjendje tejet të rëndë deri edhe kritike në mjekimin intensiv që është në kuadër të Klinikës Infektive. Në pritje të rezultateve deri më tani i kemi 6 pacientë, por ky nuk është numri i saktë se nga ora në orë mund të ndryshojë”, thotë ajo.

Ajo tregon për gjendjen e pacientes shtatzënë, e cila është në mesin e dy pacientëve të cilët po trajtohen në kujdesin intensiv.

“Gjendja e pacientes shtatzënë është kritike, por për momentin është me parametra vital stabil. Është në mjekimin intensiv, në ventilim mekanik, themi se është e intobuar. Po ashtu edhe pacienti tjetër”, tregon ajo.

Ajo thotë se është pritur ky numër i të prekurve, meqë muaji prill pritet të jetë vendimtar, megjithatë thotë se mund të ketë numër shtuar.

“Sigurisht që do të ketë numër të madh, besoj që do të ketë numër të shtuar, por sa do të ketë as ne nuk e dimë. Vazhdon të mbetet edhe muaji prill kritik, për sa i përket numrit të rasteve të reja… për momentin vetëm në klinikën infektive, nuk është shfaqur nevoja t’i dërgojmë në klinikat tjera të cilat janë të përgatitura dhe të gatshme të pranojnë numrin e të pacientëve. Është e përballueshme gjendja sa i përket numrit të shtretërve në Klinikën Infektive”, shton ajo.

Ajo u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë masat dhe rekomandimet, që të ndihmojnë edhe stafin mjekësor me fluks më të vogël të pacientëve me koronavirus.

Deri më tani janë konfirmuar 510 persona të infektuar me koronavirus, prej tyre 93 janë shëruar, ndërsa 12 të tjerë kanë humbur betejën e luftimit me këtë pandemi.