Pas saktë një muaji, përkatësisht më 15 korrik do të mbahen zgjedhjet e parakohshme në Maqedoninë e Veriut. Kjo datë duhet të konfirmohet në takimin e liderëve te presidenti Stevo Pendarovski. Nga kabineti i shefit të shtetit, për TV21, thonë se për këtë do të prononcohen gjatë ditës së nesërme.

Gjatë ditës së nesërme saktë do të dihet se kur do të mbahet takimi i liderëve, për shkak se presidenti do të konsultohet me shërbimet juridike jo vetëm për mbajtjen e takimit të liderëve, por më së shumti edhe për atë se si do të tejkalohet kjo periudhë nga gjendja e fundit e jashtëzakonshme dhe të gjendet formulë juridike rreth shpalljes së gjendjes së re të jashtëzakonshme, pas çka do të mbaheshin zgjedhjet”, u tha nga Kabineti i Presidentit.

Nuk është e mundur që të përballet kriza e tillë me Qeveri teknike dhe pa parlament dhe andaj duhej t’i vendoset fund gjithë kësaj dhe përfundimisht të caktohet data e zgjedhjeve – tha në konferencë për media, kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev. Ai tha se ka pasur bisedë telefonike me Mickoskin, ku pasi që janë dakorduar për datën, Micksoki ia ka konfirmuar se opozita do të marrë pjesë në zgjedhje.

Që të mos vuajë populli dhe t’i mundësohet Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së në vepër të tregojnë përgjegjësinë e tyre, e përmbyllëm 15 korrikun si datë përfundimtare, datë e vetme dhe e fundit, datë në të cilën me garanci do të marrë pjesë opozita. U dakorduam me Mickoskin që unë dhe ai të informojmë Presidentin, Pendarovski, për marrëveshjen e arritur, ndërsa Presidenti do t’i informojë edhe partitë e tjera politike”, tha Zaev.

Në zgjedhjet e 15 korrikut do të marrë pjesë VMRO-DPMNE, dy kushtet që i kërkuam u pranuan – ka shkruar Micksoki në profilin e tij të Facebook-ut, menjëherë pas konferencës për media të Zaev-it. Paraprakisht, Antonio Milloshoski, nga selia e partisë theksoi se për ta 15 korriku është datë e pranueshme, vetëm nëse deri atëherë sigurohen vëzhgues ndërkombëtar të OSBE/ODIHR dhe hyjnë në fuqi protokolle serioze shëndetësore.

Ajo ditë kur OSBE-ja do të arrijë në Maqedoni në misionin e vet, menjëherë ditën e ardhshme mund ta fillojmë fushatën zgjedhore, e cila do të zgjasë 3 javë. Kështu do të arrijmë deri te data për zgjedhje, të cilat nuk duam të mbahen pa misionin e OSBE-së, sepse kjo do të ishte vjedhje zgjedhore dhe ryshfet i familjes Zaev me pakot që i shpërndajnë për familjet e varfra. Prandaj, duam të kemi zgjedhje me të cilat do të respektohen protokollet dhe standardet ndërkombëtare të OSBE/ODIHR”, tha Milloshoski.

 Për herë të parë zgjedhjet nuk do të mbahen të dielën, por të mërkurën. Votimi do të zgjatë tre ditë, të hënën dhe të martën, përkatësisht 13 dhe 14 korrik do të votojnë të sëmurët, ata që janë pozitiv me Covid-19 si dhe ata që janë në vetë-izolim. Të mërkurën më 15 korrik, që do të jetë ditë jo pune, qytetarët do të mund të votojnë nga ora 7 e mëngjesit deri në orën 21 në mbrëmje./TV21