15-vjetori i pavarësisë, mitrovicasit s’mund të festojnë njëjtë

Qytetarë të shumtë kanë dalë në jug të Mitrovicës për të shijuar 15 vjetorin e pavarësisë, e cila përveç aktiviteteve të ndryshme gjatë ditëve të kaluara, sot është shoqëruar me program të pasur kulturo-artistik dhe koncertin e pavarësisë, që është organizuar nga komuna.
Për qytetarin Sabedin Berisha, dita e pavarësisë është ndër festat më të rëndësishme, porse siç ka thënë ai, kremtimi i saj për mitrovicasit lë për të dëshiruar.
“Kjo festë është ndër më të rëndësishme te ne në Kosovë… Kjo festë është e mangët derisa vëllezërit tanë në veri nuk festojnë në mënyrë institucionale”, ka thënë Berisha.
Edhe Arbër Hajra, një mitrovicas tjetër, ka thënë se është dashur të festohet bashkërisht me banorët e veriut.
“Shumë të mangëta, mendoj se është dashur të festojmë bashkërisht këtë festë edhe me pjesën veriore së bashku në shesh të qytetit në pjesën veriore ose jugore”, është shprehur Hajra.
Ndërkaq, qytetari Nexhmedin Shyti, ka theksuar se përkundër rëndësisë së festave, mitrovicasit nuk ndihen të kënaqur me situatën e përgjithshme atje.
Sipas tij, përveç se qytetarët nga jugu dhe veriu i këtij qyteti nuk kanë mundësinë të festojnë së bashku, kësaj feste po i mungojnë edhe ata, të cilët kanë kontribuuar më së shumti për këtë ditë, dhe të cilët sot po gjykohen padrejtësisht.
“Ne në Mitrovicë nuk jemi të kënaqur me këtë situatë, sepse nuk po mundemi ta festojmë së bashku me të gjithë banorët e Mitrovicës, sidomos me ata të pjesës veriore.. I kemi edhe njerëzit kryesorë, të cilët sot në mënyrë të padrejtë gjykohen dhe të cilët kanë dhënë për këtë ditë”, ka thënë Shyti./kp

Back to top button