Ende nuk ka shifra të sakta se sa është numri i fëmijëve të prekur nga autizmi në Kosovë

Ende nuk ka shifra të sakta se sa është numri i fëmijëve të prekur nga autizmi në Kosovë

Shumë specialistë kanë apeluar për përkrahje ndaj fëmijëve autistë dhe kanë kërkuar vazhdimisht që këta fëmijë të mos neglizhohen mirëpo të integrohen më shumë në shoqëri.

Se sa janë mundësitë që fëmijët me autizëm të aftësohen dhe të zhvillojnë jetë normale në Kosovë, psikologia Marije Culaj ka treguar për rtv21.tv

Psikologia theksoi se kjo varet edhe nga fëmija se në cilën fazë të autizmit është dhe se kur kanë kërkuar ndihmën e profesionistit dhe sa punohet me përkushtim me atë fëmijë.

“Nëse është autizëm i lehtë dhe prindërit menjëherë kërkojnë ndihmë tek profesionisti që merret me këtë sëmundje kur e vëren tek fëmija se diçka nuk po shkon, mendoj se gjasat janë më të mëdha që të arrijnë një rezultat që ai fëmijë të arrijë përafërsisht në një jetë normale, por deri më sot fatkeqësisht në Kosovë që këta fëmijë të zhvillojnë një jetë normale gjasat janë tepër të vogla. Gjithmonë duhet të kenë një përkujdesje të veçantë këta fëmijë “, tha Culaj.

Psikologia pati edhe një këshillë për të gjithë ata që duan të bëhen psikolog/e në të ardhmen, sfidat me të cilat do të përballen.

“Një student që dëshiron të studioj psikologjinë së pari duhet ta pëlqej këtë profesion jo veç të mësojë teorinë dhe të marrë nota”, u shpreh psikologia, shkruan rtv21.tv

Po ashtu Culaj tha se fatkeqësisht ajo e ka vërejtur se shumë studentë mësojnë veç për nota dhe se kjo gjë nuk është e mirë pasi që ata që e studiojnë këtë profesion duhet ta kenë në shpirt psikologjinë.

“Për të qenë një profesionist i mirëfilltë duhet të kalosh nëpër shumë sfida të kënaqshme dhe deri te ato të pakënaqshme. Jetojmë në një rreth që psikologu përballet me shumë probleme nga palët, mirëpo ai gjithmonë duhet të jetë i matur dhe ta kuptojnë gjithmonë pacientin. Psikologu nuk duhet të jetë materialist por shumë human”, tha ajo

Ndryshe Autizmi është një çrregullim i zhvillimit i cili paraqitet tek fëmijët në moshat e herëshme. Çrregullimi karakterizohet me pengesa në të folur, komunikim të dobët, mungesë të interesimit për botën dhe paaftësi për aktivitete shoqërore. Autistët shpesh përshkruhen si persona që janë të mbyllur brenda botës së vet dhe shpesh ata shfaqin talentin e tyre në disa lëmi siç janë, arti, muzika, matematika, kompjuterikë etj./21Media