Qendra e Studentëve tash e dy muaj po shërben si karantinë për të riatdhesuarit në Kosovë.

Në konviktin 6 dhe 8 gjatë së premtes kanë qenë të sistemuar mbi 170 banorë. Drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta, tha për KP se vetëm gjatë ditës së djeshme kanë ardhur nga Kroacia, Sllovenia, e Zvicra rreth 100 shtetas.

Nuk kemi informacione të sakta se çfarë numri do të vjen sot…ne jemi të gatshëm të pranojmë sado që të vijnë”, tha Sfishta.

Mëngjesin e së premtes, Ambasada e Kosovës në Slloveni, në koordinim me institucionet e Republikës së Kosovës ka mundësuar kthimin në Kosovë edhe të 47 bashkatdhetarëve që ndodheshin në Slloveni, të cilët kishin raste urgjente shëndetësore dhe të natyrave tjera.

Sfishta theksoi se mbrëmë janë liruar disa persona të cilët kanë rezultuar negativ me Covid-19.

Dje aq sa janë testuar nuk e di numrin e saktë, janë liruar mbrëmë në orët e vona ata që kanë dalë negativë, të gjithë kanë dalë negativë”, shtoi Sfishta.

Konviktet tash e dy muaj po shërbejnë për të karantinuar personat që po riatdhesohen në Kosovë. Sfishta tregoi se gjatë verës në rast se do të merret vendim që Qendra e Studentëve të lirohet nga karantina, do të bëjnë riparime, sepse sipas tij ka pasur dëmtime nga personat që kanë qenë të karantinuar.

Shpresoj që do të merret një vendim që Qendra e Studentëve të lirohet nga karantina dhe t’i kthehet vetvetes. Qendra e Studentëve për studentë, dhe ne jemi të gatshëm që gjatë muajve të verës t’i bëjmë riparimet e nevojshme, sepse ka pasur edhe dëmtime nga personat që kanë qenë të karantinuar. T’i kryejmë disa investime që i kemi pasur të planifikuara. Sigurisht që ne jemi të gatshëm që muajin tetor t’i presim studentët e rinj në Qendrën e Studentëve”, theksoi ai.

Nga data 18 deri më 23 maj, studentët banues të konvikteve do të kenë mundësinë t’i tërheqin gjësendet e tyre nga konviktet të cilat janë bosh dhe nuk ka të karantinuar.