19-vjeçarja mori përsipër vrasjen e babait në Durrës, por vëllai e kishte qëlluar me armë

Policia e Durrësit ka ndriçuar rastin e vrasjes së 50-vjeçarit, Pëllumb Meta, duke zbuluar se autori i krimit të rëndë nuk është vajza e tij 19-vjeçare, por djali 24-vjeçar, Hysen Meta.

Deri më tani, vrasjen e ka marrë përsipër vajza, Hygerta Meta, por policia ka zbuluar se qitësi nuk është ajo dhe se Hysen Meta ka pranuar ekzekutimin e babait.

“Nga të gjitha veprimet hetimore që janë kryer rezulton se djali i familjes ka realizuar qitjen. Nuk mund të japë të gjitha detajet edhe për sekretin hetimor dhe ndjeshmërisë që ka pasur ngjarja. Edhe 19-vjeçarja është përfshirë. Arsyeja është konfliktet që kanë pasur pjesëtarët e familjes. Nxitja prej babait prej një periudhe kohe që vajza të fejohej pa dëshirën e saj. E ka pranuar ekzekutori akuzën”, sqaroi pak më parë shefi i policisë së Durrësit.

Policia sqaroi se vrasja ka ndodhur në një prej dhomave të banesës dhe më pas trupi është transportuar dhe varrosur në një kasolle. Në banesë është gjetur edhe një predhë e armës së zjarrit me të cilën është kryer krimi.

Janë gjetur gjithashtu pjesë të armëve të zjarrit kallashnikov, është sekuestruar municion luftarak si dhe teshat e përdorur në krim. Policia tha se u arrit të gjendet edhe një armë krimit, model 54 në një zonë moçalore në vendin e quajtur Vaskat.

Gjithashtu, policia ka arrestuar edhe djali tjetër, Amarildo Meta, 22-vjeç, bashkëpunëtor në krim. Në hetim është marrë edhe bashkëshortja e viktimës, Blerina Meta, e cila po ndiqet penalisht në gjendje të lirë./oranews

Back to top button