Më shumë për jetën private dhe profesionale të disenjatores së njohur

Më shumë për jetën private dhe profesionale të disenjatores së njohur

Për emrin dhe punët e saj kemi dëgjuar aq shumë saqë kur shohim se sa bukur vishen persona të caktuar menjëherë na vjen në mendje që ato veshje janë punuar nga duart e saj të arta. Është kjo disenjatorja e njohur kosovare, Blerina Kllokoqi-Rugovën, e cila është përkujdesur për veshjet e shumë personave të njohur, qoftë këngëtar, artistë, etj e madje edhe të ish presidentes së Kosovës, Atifete Jahjagës, veshjet e së cilës janë lavdëruar shumë si dhe asaj i është besuar edhe fustani i nusërisë se princeshës  shqiptare për dasmën e saj.

Megjithëse, punët dhe sukseset e saj shihen, ka gjëra të tjera interesante nga jeta private dhe profesionale, të cilat Blerina rrallëherë i tregon. Por, kësaj radhe, si personazh i javës i rtv21.tv, disenjatorja, Blerina Kllokoqi- Rugova nuk hezitoi të shpalosë shumë prej tyre.

Fëmijëria dhe adoleshenca e Blerinës

”Lirisht mundem me thanë që kom pasë një fëmijëri që çdo fëmijë i ditës së sotit do ta ëndërronte ta kishte. Zakonisht dita fillonte kur edhe u zgjoheshim me shku në shkollë dhe më pas deri në mesnatë me fëmijë në rrugë duke luajtur (mes-dy- zjarmash, kullas, llastik, msheftas, me konop etj etj etj?!)’’, theksoi Blerina, teksa ka treguar edhe për simpatinë e saj. ‘’Si çdo fëmijë kom qenë edhe un , kemi jetu në kohën e leksikonave!, simpatinë që kurrë se ka kuptu as ai e as unë ’’ rrëfen disenjatorja.

Momentin që nuk dëshiron ta harrojë dhe atë që nuk dëshiron ta kujtojë?

‘’Koha e luftës, bombardimet, izolimi në shtëpi, kemi jetu në kohën kur te jesh adoleshente ka qenë sfidë, nuk kemi guxu me dalë të lira!?’’ kujton Kllokoqi-Rugova duke shtuar se në atë kohë i ka mbajtur shpresa se një ditë do të bëhet më mirë.

Çka nuk do të bënte kurrë dhe nga çka nuk do të hiqte dorë Blerina Kllokoqi-Rugova?

Disenjatorja për rtv21.tv tha se kurrë nuk do të ofendonte dhe tradhëtonte, ndërsa nuk do të hiqte dorë asnjëherë të ishte vetëvetja. Ajo po ashtu rrëfeu edhe për gjërat e ëndërruara dhe të realizuara. ‘’Kom qenë vajzë që kam ëndërruar, kam pasur luksin që me u rritë me dy gjyshërit dhe gjyset’’, tha ajo për rtv21.tv

Ngjarjet më të rëndësishme në jetën e saj?

‘’11 Qeshori kur pas 4 muajve kemi dalë te lirë në qyret. Vienna kur unë për herë të parë jam gjindur para një sfide jete. Takimi me Mendimin.  Ardhja në jetë e dy fëmijëve të mi dhe e 3 nipave dhe mbesave’’, tregoi Blerina duke shtuar se familjen  e përbejnë njerëzit më të veçantë në jetën e saj.

Vendet që i kanë lënë mbresa Blerinës?

Disenjatorja  tregoi se ndër vendet që i kanë lënë më së shumti përshtypje janë: Roma, Kairo ,Parisi, derisa shtoi se e frymëzon gjithçka e bukur. Përveç këtyre, disenjatorja e njohur kosovare tregoi se një ndër gjërat që mendon t’i realizojë këtë vit është edhe një sfilatë madhështore.

Ndryshe, Blerina Kllokoqi-Rugova është njëra ndër disenjatoret më të njohura në Kosovë dhe më gjerë./21Media