2 mijë e 380 raste aktive me COVID-19

 

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), ka njoftuar se aktualisht në vend janë 2 mijë e 380 raste aktive me COVID-19.

Kurse që nga 13 marsi i vitit të kaluar kur edhe u paraqitën dy rastet e para pozitive, janë 107 mijë e 405 qytetarë të cilët janë infektuar me COVID-19.

Si pasojë e infektimit me Covid-19 në Kosovë deri tani kanë vdekur 2 mijë 243 persona.

“Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, si dhe laboratoret publike dhe private me metodën RAT, janë testuar gjithsej 2.120 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 23 raste pozitive. Brenda 24 orëve nuk është raportuar asnjë rast i vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Numri total i rasteve pozitive është 107.405 raste nga 609.350 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 2.243 raste të vdekjes. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 130 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 102.782 raste, kurse numri i rasteve aktive është 2.380”, thuhet në njoftimin e fundit të IKShPK-së.

Rastet pozitive janë nga komunat: Mitrovicë 6 raste, Prishtinë 5 raste, Pejë 2 raste, Vushtrri 2 raste dhe me nga një rast komunat Ferizaj, Fushë-Kosovë, Gjilan, Junik, Obiliq, Podujevë, Prizren dhe Shtime.

Me uljen e numrit të rasteve pozitive dhe vdekjeve shkak i infektimit me virusin korona, Qeveria e Kosovës ka lehtësuar edhe masat antiCOVID-19.

Me vendimin e ri, qeveria ka paraparë heqjen e orës policore dhe zgjatjen e orarit të gastronomisë. Po ashtu me këto masa të reja parashihet mosvendosja e maskës për personat që ecin vetëm rrugës.

Gjitha masat e reja antiCOVID-19, do të hyjnë sot në fuqi. /21Media 

Back to top button