Është java e tretë që Maqedonia e Veriut thuajse çdo ditë ka mbi 150 të infektuar me virusin korona. Në 24 orët e fundit, mes datave 18 dhe 19 qershor,  janë regjistruar 156 raste të reja. Me këtë numri total i rasteve aktive ka arritur në 2 mijë e 735 të infektuar.

Të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë tregojnë se Shkupi është qyteti me numrin më të lartë të rasteve aktive, gjithsej 1 mijë e 593 raste. Më pas vjen Tetova me 304 raste aktive. Kumanova 230 raste, Shtipi 208, Ohri 72, Struga 70, Gostivari 53, Resnja 47, Velesi 34, ndërsa qytetet tjera kanë më pak se 30 ose aspak raste aktive.

Komuna më e prekur e kryeqytetit, njëkohësisht me më shumë raste aktive është Çairi, me 352 raste. Më pas vjen Gazi Baba me 128 raste, Aerodromi me 127, Qendra 123, Buteli 117, Saraji 109, Karposhi 108, Kisella Voda 82, Studeniçani 75, Gjorçe Petrovi 63, Shuto Orizarja 54, Haraçina 44, Ilindeni 24, Petroveci 12, Sopishta 11, Çuçer Sandeva 8, Stranecni 4 ndërsa 51 raste aktive janë papërcaktuara sipas komunës.

Që nga fillimi i pandemisë në Maqedoni janë prekur 4 mijë e 820 persona nga COVID-19. Prej tyre 1 mijë e 863 janë shëruar ndërsa 222 e kanë humbur betejën me virusin vdekjeprurës. Deri më tani gjithsej janë bërë 49 mijë e 20 teste për koronavirusin.

Po si është gjendja nëpër spitalet ku janë shtruar pacientët?

Informacionet zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë thonë se në Spitalin për Sëmundje Infektive në Shkup gjithsej janë të shtruar 99 pacientë. Vetëm në 24 orët e fundit janë hospitalizuar 13 pacientë të rinj. Për momentin me mbështetje të oksigjenit janë 46 pacientë ndërsa asnjë nuk është i vendosur në ventilim mekanik.

Deri në mëngjes, në Spitalin e Shkupit “8 shtatori” janë pranuar 16 pacientë të rinj, ndërsa numri total i të hospitalizuarve është 126. Në respiratorë janë të vendosur 7, ndërsa me trapi oksigjeni janë 36 pacientë.

Në Spitalin e Manastirit të hospitalizuar janë 30 pacientë, ndërsa në Spitalin e Shtipit janë të shtruar 19 pacientë. Në repartet infektive në Tetovë, Ohër, Veles, Kumanovë dhe Prilep gjithsej të shtruar janë 72 pacientë./TV21