2 vjet e keqtrajtuar nga burri. Ka ikur bashkë me vajzën e saj tek prindërit në Kërçovë që të gjejë qetësi, por kjo grua thotë se as atje nuk është rehatuar. Siç rrëfehet për TV21, bashkëshorti, nga Shkupi ka shkuar për ta shqetësuar dhe kërcënuar.

Ajo ka hapur padi dhune dhe shkurorëzimi.

Thotë se që nga java e dytë e martesës, bashkëshorti e ka dhunuar pa ndal, në disa raste e ka goditur edhe me rrip.

Kërkesa e saj e vetme është që autoritetet të marrin masa, sepse deri tani edhe pse e ka paraqitur, burri i saj nga policia ka marr vetëm paralajmërime.

“Prej kur kam pasur një javë martesë me të ai ka filluar të ushtrojë dhunë, shpesh herë ka ushtruar dhunë ndaj meje edhe familjarët e tij e dinë. Më kanë shpëtuar ata sepse ka pasur raste kur ka ushtruar dhunë me rripin e pantallonave e din ata, prindërit i tij më kanë shpëtuar dhe kanë përfunduar në stacion policorë në Shkup. Dmth qe dy vite martesë gjithmonë ka ushtruar dhunë ndaj meje. Derisa u detyrova të iki dhe të vij te nëna ime”, tha viktima.

TV21 kontaktoi të akuzuarin. Bashkëshorti i viktimës mohon se ka ushtruar dhunë, por thotë se ka qenë i provokuar.

“Pasi jam kthyer prej te banesa kam shkuar në market, ajo ka dal me nënën e vetë dhe më kanë provokuar. Unë si të qëndroja pa bërë asgjë, mu më provokuan a faktikisht s’kam bo kurrgjë, ata janë në rregull mu më provokojnë vetë”, u shpreh i akuzuari.

Avokati i viktimës Arian Imeri thotë se në prani të tij i akuzuari ka tentuar të ushtroj dhunë. Prej se është hapur padia për dhunë dhe për divorc ai vazhdon ta kërcënojë vazhdimisht viktimën. Edhe nëpërmes telefonit por edhe në banesën e prindërve të saj.

“Nga ana jonë është denoncuar rasti në organet kompetente siç është policia. Nga ana e policisë është thirrur disa herë A.M. Neve na kanë njoftuar se janë marr masa ndaj tij, ndërsa ai edhe sot e kësaj dite gjendjet i lirë. Ditën e shtunë më datë 7 në ora 21 në polici është denoncuar se është hapur zjarr në banesën e V.M. Tani mbetet organet kompetente ta zbardhin rastin”, theksoi Arian Imeri – avokat.

Në lidhje me rastin në fjalë nga SPB -Ohër thonë:

“Sipas asaj na kanë lajmëruar ai për një periudhë të gjatë e ka kërcënuar V.M. në telefon dhe duke i shkuar në shtëpi me kërcënime. Më 12 tetor Policia e Kërçovës e ka marr në stacion dhe është ngritur procedurë penale për të njëjtin. Më 13 e këtij muaji për personin në fjalë serish ka pasur akuzë për keqpërdorimin e të dhënave personale”.

Pas mosveprimit të shpejtë të organeve kompetente rasti është paraqitur edhe tek zyra e avokatit të popullit në Kërçovë.

“Sipas propozimit të Qendrës Sociale ata kanë propozuar për mbrojtje nga dhuna familjare për palën në fjalë për shkak se pala tjetër është sjellë në mënyrë jo korrekte. Mirëpo procesi i gjykatësit në gjykatën Themelore të Kërçovës dhe ne nuk mund të kuptojmë se si në atë mënyrë është sjellë. Flitet se pala tjetër nuk i ka marr materialet e duhura, mirëpo pasi urgjentë gjykata duhej doemos në bazë të vendimit të Qendrës Sociale të merrte masa”, potencoi Ylber Rufati nga zyra e Avokatit të Popullit në Kërçovë.

Seancat e gjykimit për rastin në fjalë në Gjykatën e Kërçovës janë shtyrë dy herë dhe seanca e radhës është caktuar për me 16 nëntor 2020./TV21