Tahiri: Izraeli ta njohë pavarësinë e Kosovës

Ministrja Tahiri ftoi Izraelin që ta njohë pavarësinë e Kosovës, duke thënë se Izraeli është një vend perëndimor, një aleat strategjik SHBA-së

Ministrja për Dialog Edita Tahiri po qëndron në Izrael, me ftesë të Institutit për Studime të Sigurisë Kombëtare të Izraelit (INSS) në Tel Aviv, ku mori pjesë në seminarin për çështje të negociatave paqësore dhe ndërkulturore të organizuar nga ky institut.

Folësit kryesor në këtë seminar ishin ministrja Edita Tahiri, ish-gjeneral majori izraelit dhe ish-Ambasador i Izraelit në Kinë, Matan Vilnai, profesori Iliai Alan dhe David Gordon, hulumtues dhe bashkëkryesues të seminarit në INSS.

Ministrja Tahiri në ligjëratën foli rreth proceseve të pavarësisë së Kosovës dhe proceseve paqësore të periudhës së luftës dhe paqes. Ajo theksoi se pavarësia e Kosovës solli lirinë dhe sigurinë për popullin e Kosovës, ndërsa vendosi një gjeopolitikë të re në favor të stabilitetit dhe sigurisë në Ballkan.

“Lufta jonë për pavarësi ishte e drejt prandaj mori përkrahjen e botës perëndimore në krye me SHBA-të. Shteti i Kosovës është rezultat i luftës njëqindvjeçare të popullit shqiptarë, i cili nuk u pajtua asnjëherë me pushtimin dhe ndarjen e kombit shqiptar dhe tokave shqiptare”, theksoi Tahiri.

Ministrja Tahiri ftoi Izraelin që ta njohë pavarësinë e Kosovës, duke thënë se Izraeli është një vend perëndimor, një aleat strategjik SHBA-së, andaj dhe duhet ta ndjek këtë linjë dhe ta njohë pavarësinë e Kosovës, duke dhënë kontribut për forcimin e paqes në rajon.

Tahiri iu përgjigj shumë pyetjeve të pjesëmarrësve, të personaliteteve me kalibër të lartë, nga qeveria, biznesi, akademia dhe drejtësia dhe negociatorë me përvojë.

Instituti për Studime të Sigurisë Kombëtare të Izraelit (Institute for National Security Studies – INSS) është një institut prestigjioz në Izrael i themeluar në vitet 1975 i cili angazhohet për studime të sigurisë kombëtare me qëllim që ofrojë analiza dhe rekomandime rreth çështjeve që lidhen me agjendën e sigurisë kombëtare të Izraelit, për vendimmarrësit, udhëheqësit publikë dhe komuniteti strategjik, në Izrael dhe jashtë vendit.

Gjatë qëndrimit në Izrael, ministrja Tahiri do të realizojë edhe takime tjera nga agjenda e kësaj vizite.

Back to top button