“Veturat Fluturuese” së shpejti realitet në Japoni. Kjo do të thotë se ato më nuk do t’i shohim vetëm në filma, por dhe në jetën reale.

Kështu ka bërë të ditur kompania SkyDrive me bazë në Tokio, e cila është duke zhvilluar planin për transport me vetura elektritike fluturuese. Plani sipas saj do të jetë gati në vitin 2023.

Pra, këto vetura fluturuese do të ngriten në qiell e zbresin për të marrë udhëtarët, dhe deri në vitin 2050, Japonia beson se kjo do të mundësohet në çdo rajon japonez.

Ky plan mund të duket si shumë ambicioz, por kjo do të arrihet falë teknologjisë si dhe përkrahjes nga ana e qeverisë japoneze, përcjell rtv21.tv

Analistët e kompanisë amerikane për shërbime financiare Morgan Stanley, teknologjinë e veturave fluturuese e shohin si potencial të madh, dhe parashohin se sektori i këtyre veturave deri në vitin 2040 do të vlejë 1.5 trilionë dollarë.

Analistë të kësaj kompanie për linjat ajrore dhe aeroplanët, në një intervistë për “Times” e Japonisë kanë sqaruar se veturat fluturuese më vonë mund të tansformohen në mjete efektive edhe sa i përket pagesës për qarkullim, pastaj me to udhëtohet shumë më shpejt se me vetura në tokë, andaj ka gjasa që ky biznes t’i merret veturave toksore dhe kompanive ajrore në përgjithësi.

Tregu i kompanive si ky i SkyDrive është në zhvillim. Tani për tani ka plane që të fillohet me shërbime të tilla me taksi në Osaka e Tokio, dhe kjo të arrihet brenda tri vjetësh.

Kompania Sky Drive ka zhvilluar konceptin e një veture elektrike fluturuese të quajtur SD-XX, që është më e vogla në botë. Gjatësia e saj arrin 1.5 metra, ndërkaq gjerësia 4 metra.

Kjo lloj veture arrin shpejtësinë deri në 100 km në orë, ndërkaq mund të udhëtojë deri në 70 km./21Media