Kabineti qeveritar nën drejtimin e Avdullah  Hotit, votoi sot për ndarjen e 203 mijë eurove për shoqata e dala nga lufta dhe Lidhjen e Pensionistëve të Kosovës, si ndihmë pas situatës së krijuar nga pandemia me Covid-19.

“Sot para jush paraqes për miratim propozim vendimin për ndarjen e mjeteve financiare në shumën prej 203 mijë euro për Shoqatat e Familjeve të Dëshmorëve, Shoqatën e Invalidëve dhe Organizatën e Veteranëve të Luftës së UCK-së si dhe Lidhjen e Pensionistëve të Kosovës. Ky vendim ka për qëllim përkrahjen financiare të këtyre shoqatave për shkak të gjendjes emergjente të shkaktuar nga Covid-19 dhe gjendjes po ashtu të rënde për funksionimin dhe kryerjen e obligimeve të tyre, si dhe mbështetjen për përmirësimin e shëndetit të invalidëve të luftës, ky fond do të ndahet në kuadër të fondit për rimëkëmbje ekonomike”, tha ai.

Ndërsa, ministri i Drejtësisë, Selimi Selimi ka marrë mbështetjen e kabinetit për themelimin e grupit punues për përgatitjen e analizës për themelimin e Institutit për krime të kryera gjatë luftës në Kosovës.

I njëjti do t’i dorëzojë Qeverisë së Kosovës analizën për mënyrën e themelimit dhe funksionimit të këtij instituti i cili ka më shumë se dy vjet që është shuar.