Në aeroportin “Nënë Tereza” në Tiranë mbërritën sot 208 mijë vaksina të Sinovac. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe Ministri i Shtetit për Rindërtim Arben Ahmetaj ishin të pranishëm në Aeroportin “Nënë Tereza” ku deklaruan se deri tani janë më shumë 700 mijë vaksina që kanë mbërritur në Shqipëri.

“208 mijë vaksina sapo kanë mbërritur në Aeroportin e Rinasit, pjesë e kontratës së qeverisë shqiptare me distributorin e autorizuar të vaksinës Coronavac, Sinovac. Tashmë kemi përfunduar gjithë lëvrimin e kësaj kontrate, duke siguruar në total për këtë kontratë 500 mijë doza vaksine dhe në tërësi sot në Shqipëri, nga moment i parë i fillimit të procesit të lëvrimit të vaksinave të kontraktuara nga qeveria shqiptare, kemi më shumë se 700 mijë vaksina që kanë mbërritur në territorin e Shqipërisë”, tha Manastirliu.

Manastirliu theksoi se “po ecet me ritme shumë të larta të vaksinimit dhe jemi të vendosur të vijojmë me intensitet kudo në Shqipëri, qoftë sa i përket grupmoshës +60 vjeç dhe mbi të gjitha të vaksinimi të sëmurëve kronikë, por edhe me grupet e rriskura”.

Ministrja e Shëndetësisë bëri të ditur se në mbrëmje gjithashtu pritet të vijnë edhe mbi 8 mijë doza të tjera nga kontrata me Pfizer.

“Sot pritet të vijnë doza të tjera vaksine nga kontrata e Pfizer, do të jenë 8190 doza që mbërrijnë mbrëmjen e sotme dhe do të vijojmë ashtu sikurse e kemi thënë të intensifikojmë procesin e vaksinimit dhe të kemi sipas objektivit tonë, 500 mijë vaksinime deri në maj, dhe të vaksinojmë çdo qytetar shqiptar brenda pranverës së vitit tjetër”, tha Manasitrliu.

Po vijon me kalendar të kombinuar vaksinimi masiv, për personat mbi 60 vjeç dhe punonjës të shërbimeve kritike. Që prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 333,330 doza të vaksinës ndaj COVID19, prej të cilëve 251,726 vaksinime për persona mbi 60 vjeç. Procesi i vaksinimit po kryhet sipas të gjithë parametrave të sigurisë dhe cilësisë nga ekipe të trajnuar vaksinatorësh në të gjithë vendin.