21 vjet Marrëveshje e Paqes! “Përdorimi i dhunës për qëllime politike refuzohet plotësisht e pa kushte”

3 min read

U mbushën 21 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit.

Më 13 gusht 2001 në vilën presidenciale, mbi dokumentin që i ka dhënë fund konfliktit të armatosur nënshkrimin e kanë hodhën presidenti i atëhershëm, Boris Trajkovski, kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Ljubço Georgievski, kreu i LSDM-së, Branko Cërvenkovski, i PPD-së, Imer Imeri dhe i PDSH-së Arbën Xhaferi. Aty kanë qenë edhe përfaqësues të BE-së dhe ShBA-së. Në parimet bazë të dokumentit thuhet se “përdorimi i dhunës për arritjen e qëllimeve politike refuzohet plotësisht dhe pa kushte”.

Këtë parim sot e rikujtoi edhe Presidenti Stevo Pendarovski, duke thënë se përfitimet kyçe nga Marrëveshja e Ohrit ishin ruajtja e sovranitetit dhe integritetit territorial si dhe e karakteriz unitar të shtetit.

“Sot, kur jemi dëshmitarë të një lufte në tokën evropiane dhe kur jetojmë nën presionin e kërcënimeve të vjetra dhe të reja të sigurisë, duhet të mbajmë gjithmonë para syve një nga parimet bazë të Marrëveshjes Kornizë, e cila refuzon plotësisht dhe pa kushte përdorimin të dhunës për të arritur qëllimet politike sepse vetëm zgjidhjet politike dhe dialogu mund të garantojnë një të ardhme të qëndrueshme dhe demokratike.”, tha Stevo Pendarovski.

Në emër të deputetëve uroi edhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.

“Marrëveshja ishte pikënisja e një udhëtimi të ri me një këndvështrim të ri ndaj ardhmërisë së përbashkët në shtetin tonë të përbashkët. Kaluam dhe akoma na presin sfida të reja dhe të vështira por e dimë cakun tonë, anëtarësimin e plotfuqishëm në Bashkimin Evropian dhe rrugën nëpër të cilën do të arrijmë atje dhe Marrëveshja kornizë e Ohrit gjithsesi ishte udhëkryqi që e ofroi zgjidhjen më të mirë.” tha kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski shkroi se Maqedonia e Veriut ndër vite ka dëshmuar se me sukses ndërton të ardhmen për të gjithë qytetarët, si shtet multikulturor, me demokraci funksionale multietnike, miqësi dhe bashkëjetesë.

“Dua të përcjell urime dhe të shpreh kënaqësinë për bashkimin dhe kohezionin tonë, dëshirën për bashkëjetesë dhe tolerancë mes vete. Dëshmuam se vetëm si shtet multietnik dhe multikulturor mund të jetë i suksesshëm ekonomikisht dhe i përparuar për qytetarët e saj.”ka shkruan Kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Në Marrëveshjen e Ohrit thuhet se vetëm zgjidhjet paqësore politike mund të garantojnë të ardhmen e qëndrueshme dhe demokratike të Maqedonisë dhe se nuk ka zgjidhje territoriale për çështjet etnike. Karakteri multietnik i shoqërisë në Maqedoni duhet të ruhet dhe të pasqyrohet në jetën publike, shkruhet në marrëveshje, duke vazhduar më tej se shteti duhet të sigurojë vazhdimisht që Kushtetuta të plotësojë plotësisht nevojat e të gjithë qytetarëve të tij në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare, të cilat vetë janë në zhvillim të vazhdueshëm. Marrëveshja përmban edhe pikat që lidhen me ndërprerjen e armiqësive, zhvillimin e qeverisjes së decentralizuar, mosdiskriminimin dhe përfaqësimin e drejtë, procedurat e veçanta parlamentare, edukimin dhe përdorimin e gjuhëve, shprehjen e identitetit dhe zbatimin, raporton TV21./21Media