Me 22 vjet e gjysmë burgim janë dënuar personat B.G. dhe V.S. për tetë vepra grabitje.

Gjykata Themelore në Ferizaj ka dënuar edhe të pandehurin L.H. për veprën penale të “blerjes, pranimit ose fshehjes së sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”.

Sipas njoftimit nga kjo gjykatë, të pandehurit kishin pranuar se kanë kryer veprat me të cilat ngarkoheshin. I pandehuri B.G. është dënuar me 11 vjet e gjysmë burgim dhe gjobë 2500 euro. V.S. u dënua me 11 vjet burgim dhe 2500 euro gjobë, ndërsa L.H. me dënim një vit burgim por nuk do të ekzekutohet nëse për 2 vjet nuk kryen vepër tjetër penale.

“Të pandehurit nga kohë e pa caktuar deri në mars të vitit 2020, në bashkëkryerje kanë kryer tetë (8) vepra penale të grabitjes, në disa pompa të derivateve dhe auto sallon. Të pandehurit me përdorimin e forcës dhe kanosjes serioze për ta sulmuar jetën apo trupin e personit tjetër, në bashkëkryerje kanë përvetësuar pasurinë e luajtshme të personit tjetër me qëllim që vetes t’i sjellin përfitim pasuror të kundërligjshëm. Ndërsa i pandehuri tretë në vazhdimësi ka blerë sendet e përfituara me kryerjen e veprës penale edhe pse e ka ditur se të njëjtat janë përfituar me kryerje e veprës penale”, thuhet tutje në njoftimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj./21Media