Tillerson: Nuk ka besim mes SHBA-së dhe Rusisë

Sekretari amerikan i shtetit bën të qartë

Sekretari amerikan i shtetit, Rex Tillerson, tha se nuk ekziston pothuajse kurrfarë besimi mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë.

Në fjalimin e mbajtur para personelit të Stejt Departmentit, Tillerson qartësoi se administrata e Presidentit Donald Trump po punon për rivendosjen e besimit me Rusinë, duke ngritur një nga një çështjet problematike, me Sirinë e cila është në vend të parë, shkruan rtv21.tv

Pas bisedës telefonike që Tramp zhvilloi me presidentin rus, Vlladimir Putin, Tillerson qartësoi se dy vendet po punojnë për vendosjen e një armëpushimi të qëndrueshëm në Siri, por shtoi se nuk e di se a do të jenë në gjendje ta bëjnë këtë.

Sekretari amerikan i shtetit gjithashtu tha se Amerika dhe Rusia, nëse do të mund të rivendosej sërish besimi, kanë një listë të gjatë të temave për të cilat duhet të punojnë, përfshirë këtu edhe Ukrainën dhe marrëveshjen për armatim.

Ai gjithashtu qartësoi edhe konceptin e Trumpit, Amerika e Para, koncept ky i cili sipas tij nënkupton vendosjen e serishme të baraspeshës mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj.

Tillerson qartësoi se siguria kombëtare e Amerikës nuk guxon të varët nga shtetet tjera, por kjo nuk nënkupton se Uashingtoni nuk angazhohet për respektimin e të drejtave të njeriut.

Për marrëdhëniet e Uashingtonit me Rusinë foli edhe ish-sekretarja amerikane e shtetit, Medllin Ollbrajt, e cila tha se Moskës duhet ti qartësohet se çfarë është e pranueshme dhe çfarë jo në sjelljet e saj në skenën ndërkombëtare, duke vlerësuar se Rusia në Siri po mbështetë një qeveri, e cila po përdor armë kimike.

Në intervistën dhënë kanalit CNN, Ollbrajt tha se marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Moskës kanë rënë në nivelin më të ulët të mundshëm dhe vlerësoi se sjelljet e Rusisë në Siri janë tejet brengosëse./21Media

Back to top button