Rriten ndjeshëm rastet e reja me Covid-19 në Shqipëri. Në 24 orët e fundit janë testuar 173 qytetarë të dyshuar dhe kanë rezultuar pozitivë 25 persona. 

Më konkretisht janë 24 të prekur në Tiranë dhe 1 në Durrës. Ndërkohë, ka ndërruar jetë një pacient 69-vjeçar nga Tirana, me inicialet S.K., i cili po trajtohej në terapi intensive në spitalin infektiv, duke e çuar në 33 numrin e viktimave.

Në 24 orët e fundit ka rritje të numrit të të prekurve, të lidhura me kontakte të rasteve të mëparshme pozitive por edhe vatra të reja në Tiranë.

Vatër e re – Ndër rastet e reja janë 15 të prekur në një call-center, kontakte të një rasti pozitiv të identifikuar dy ditë më parë. Po vijon hetimi epidemiologjik edhe për disa raste të reja në Tiranë.

Raste aktive – Aktualisht janë 193 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Durrës Krujë, Shkodër.

Të shëruar – Në 24 orët e fundit janë shëruar 8 qytetarë.

Në spital – Në 24 orët e fundit kemi sërish shtrime të reja në spitalin infektiv, ku aktualisht po trajtohen 17 pacientë, nga të cilët 3 janë në terapi intensive.

Testimet – Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 14500 testime molekulare dhe serologjike, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara pozitivë në të gjithë vendin është 1029.