Bosnja e Hercegovina sot shënon 25 vjetorin e masakrës së Srebrenicës. Kjo masakër është më e rënda në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës kanë vrarë mbi 8 mijë burra dhe djemë myslimanë në enklavën e Srebrenicës, që ishte caktuar si “vend i sigurt” nga Kombet e Bashkuara.

Më 9 korrik 1995, udhëheqësi atëhershëm serbëve, Radovan Karadziç ka lëshuar një urdhër të ri për të pushtuar Srebrenicën. Trupat kanë rrethuar enklavën dhe sulmuar paqeruajtësit holandezë duke marrë peng 30 prej tyre.

Një ditë më pas, më 10 korrik, ushtarët serbë të Bosnjës kanë filluar të bombardojnë Srebrenicën. Forcat holandeze kanë kërcënuar serbët se do të kishte goditje ajrore të NATO-s, nëse nuk tërhiqeshin deri në mëngjes. Dhe të nesërmen, avionët e NATO-s kanë bombarduar tanket serbe jashtë Srebrenicës. Forcat serbe kanë kërcënuar të rifillonin bombardimin dhe të vrisnin ushtarët e kapur holandezë. Goditjet ajrore janë ndalur dhe në mbrëmjen e 11 korrikut, komandanti i serbëve të Bosnjës, gjenerali Ratko Mlladiç ka hyrë në Srebrenicë.

Rreth 30 mijë refugjatë myslimanë janë grumbulluar rreth bazës së paqeruajtësve holandezë në Potoçari, në veri të qytetit të Srebrenicës, pasi forcat serbe të Bosnjës kanë marrë nën kontroll zonën e sigurt.

Mlladiç është përpjekur t’i qetësonte duke u thënë se nuk kishin pse të kishin frikë. Forcat serbe të Bosnjës i kanë futur refugjatët e frikësuar nëpër autobusë, për kinse të largoheshin. Shumë nga refugjatët janë evakuuar në Kladanj, 50 kilometra larg dhe prej andej kanë filluan të ecnin për të gjetur një strehë të sigurt.

Kombet e Bashkuara e kanë vënë re se shumica e refugjatëve që mbërrinin nga Srebrenica ishin gra, fëmijë dhe të moshuar dhe filluan të shqetësohen për fatin e burrave.

Rreth 15 mijë ushtarë dhe civilë myslimanë të Bosnjës janë larguar natën nga Srebrenica, duke u përpjekur të arrinin në territor të kontrolluar nga myslimanët. Shumë kanë vdekur nga bombardimet dhe goditjet e snajperëve.

Gjatë javës pasoi rënia e Srebrenicës, rreth 8 mijë burra dhe djemë mendohet se janë vrarë nga serbët e Bosnjës dhe janë varrosur në varre masive.

Edhe pas më shumë se dy dekada pas vrasjeve, ende vazhdojnë të gjenden varre masive. Identifikimi i viktimave është i vështirë, pasi trupat ishin copëtuar nga ekskavatorët që i hidhnin në varre.

Çdo vit më 11 korrik, eshtrat e atyre që identifikohen gjatë vitit të fundit varrosen në Qendrën përkujtimore të Potoçari.