26 vrasje për 10 muaj në Kosovë, shkak “traumat e luftës”

Një varg krimesh që kanë ndodhur ditët e fundit në Kosovë kanë alarmuar shoqërinë në Kosovë. Njohës të çështjeve të sigurisë thonë se numri i vrasjeve është rritur dhe kanë nënvizuar se policia e Koosvës po funksionon me kushte të jashtëzakonshme për shkak të zhvillimeve në pjesën veriore të vendit. Ndërkaq sociologët këto krime i lidhin me situatën socioekonomike duke mos lënë anash as traumat e luftës.

Policia e Kosovës thotë se vetëm në periudhën janar-tetor të këtij viti, numri i vrasjeve të evidentuara në Kosovë ka arritur në 26 një rritje në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur u regjistruan 21 raste. Tri raste u shënuan brenda vetëm dy ditëve të kësaj jave. Ish-drejtori i policisë së Kosovës Reshat Maliqi, tha se që prej nisjes së tensioneve në pjesën veriore të vendit, Policia e Kosovës punon në kushte të jashtëzakonshme që, sipas tij, e ka reduktuar numrin e policëve në pjesët e tjera.

“Që nga situata në Veri policia punon në kushte të jashtëzakonshme sepse në atë pjesë Policia sfidohet herë pas here dhe është e vështirë që të mbulohet terroni, në vazhdimësi nga stacionet policore kërkohen nga 20/30 polic dhe në vend që ne të merremi me çështje të që ndodhin brenda qytetit, hallet e qytetarëve ne duhet të merremi me Veriun, andaj menaxhmenti po punon në kushte të jashtëzakonshme… mangësi tjetër e policisë se Kosovës është mungesa e ligjit për pensionim të parakohshëm që policët e sëmurë të shkojnë dhe të rekrutohet staf i ri, qysh me llogaritë në një stacion policie janë 25 veta, 10 janë të sëmurë dhe prej atyne 10/12 janë të aftë nuk ka logjikë”, tha Reshat Maliqi, ish-drejtor i Policisë së Kosovës.

Vetëm brenda tre ditëve të muajit nëntor, në qendra të ndryshme të Kosovës, persona të armatosur kanë kryer një numër të veprave kriminale, përfshirë edhe grabitjen në një argjendari ne Suharekë, me ç’rast janë plagosur dy policë. Përdorimi i armevë të paligjshme është shtuar. Eksperti i antiterrorizmit Kolë Krasniqi, thotë se ka shumë faktorë të cilët shtyjnë qytetarët në shpërfaqje të dhunës.

“Numri i vrasjeve sivjet është shqetësues në krahasim me vitin e kaluar por është më i ulët se sa vitet paraprake të cilat mbërrinin deri në 50/60 vrasje, mirëpo sivjet është më i lartë se sa vjet dhe ekzistojnë shumë faktor nuk është vetëm socioekonomik sepse vrasjet e fundit u kryen nga shtresa të larta sociale… dhuna mund të shpërfaqet me nevojën për pushtet, ndjenjat avanturiere, madje edhe siguria personale sepse po i shihni që disa shtresave të larta sociale i kryen këto krime dhe ndenja e paprekshmërisë së shtetit ndikon në kryerjen e këtyre aktiviteteve të ndryshme të dhunës”, tha për RTV21 Kolë Krasniqi, ekspert i antiterrorizmit

Nga një studim i Institutit të Kosovës për Drejtësi, thuhet se gjykatat, gjatë viteve 2018 dhe 2019, kanë zbatuar politika të buta të ndëshkimit për kryerësit e veprës penale të armëmbajtjes pa leje. Profesori i sociologjisë Jeton Brajshori, ndërkohë thotë se faktori socio ekonomik ka ndikim në rritjen e rasteve kriminale

“Realisht është kriju një situatë kur kemi në shoqëri një pasiguri të madhe dhe akoma më e rrëzikshme është kur këto krime kthehen në normalitet, sepse këto vrasje dhe grabitje po ndodhin duke u nisur nga faktori socioekonomik, problemet mendore etj por pergjegjësinë duhet ta kërkojmë nga institucionet shtetërore,,, ndërsa jemi një vend në tranzicion të pasluftës e çdo vendi të pasluftës tranzcioni zgjatë 30 deri në 50 vjet dhe tash në pah problemet mendore gjithmonë dalin pas 20 vjetëve pra ne tash po i shohim pasojat”, tha ai.

Policia e Kosovës në statistikat e saj ka shënuar se brenda gjsymës së parë të këtij viti ka konfiskuar 636 armë zjarri ndërkohë që vitin e kaluar, numri i armëve të konfiskuara ka qenë 1.473./21Media

Back to top button