Platforma që ndihmon fuqizimin ekonomik të gruas

Rëndësia e kësaj platforme për bizneset kosovare

Platforma online- udhëzues i bizneseve, se çfarë konkretisht ofron kjo platformë, në çfarë mënyre i ndihmon bizneset dhe për çështje të tjera që ndërlidhen me këtë udhëzues u diskutua në emisionin Start Up në RTV21.

Të ftuar ishin drejtoresha e Agjencisë RedMill, Erëza Vela, drejtori i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, drejtori i Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, Gazmend Mejzini dhe ndërmarrësja dhe anëtarja e Dhomës Ekonomike të Grave të Kosovës – G7, Linda Shala, shkruan rtv21.tv

Vela, si drejtuese e Agjencisë partnere implementuese i këtij projekti, foli për projektin që e ka ideuar dhe zhvilluar platformën weekosovo.biz.

“Është projekt i financuar nga PPSE, një projekt i zyrës zvicerane i cili ka për qëllim fuqizimin e sektorit privat në përgjithësi, si dhe e ka komponentin e fuqizimit ekonomik të gruas. Me kolegët nga PPSE e kemi filluar kampanjën “Edhe ti mundesh”, një kampanjë që e kemi filluar para dy vitesh dhe ideja ka qenë që një grua e suksesshme me ju tregu edhe grave të tjera  që me punë, mund, shkollim dhe investim të duhur mundet edhe ajo me ia dalë”, ka thënë Vela, duke shtuar se e njëjta kampanjë është zhvilluar më pas edhe për meshkuj, pasi sipas saj, pa “Edhe ti mundesh” për meshkuj, gratë e kanë të vështirë të ecin përpara.

Sipas Velës, në këtë platformë janë listuar të gjitha bizneset e grave.

“Kushdo që dëshiron të bëjë biznes me një grua mundet  me hyjë në platformë me shkruar p.sh marketing dhe aty listohen të gjitha bizneset e grave që kanë marketingun si shërbim të tyre”, shtoi Vela.

Në anën tjetër kjo platformë sipas saj, ofron të gjitha mundësitë për punë që publikohen nga ndërmarrjet private.

“Ne jemi duke bashkëpunuar me Odën Amerikane dhe disa partnerë të tjerë për mundësinë që brenda platformës ti kemi grantet dhe tenderët”, ka përfunduar Vela.

Zeka foli për rëndësinë e kësaj platforme për bizneset kosovare. Ai tha se një platformë e tillë e dedikuar për gjininë femërore në këtë rast është jashtëzakonisht e mirëseardhur.

“Ajo që ne e kemi parë me shqetësim është se si një platformë e tillë do të bëhet e vetë qëndrueshme në periudhë afatgjatë”, ka thënë Zeka, duke treguar se kjo ka qenë njëra ndër arsyet pse OEA, ka dashur të bëhet të tërë këtij organizimi, në mënyrë që të ndihmojnë në sigurimin e qëndrueshmërisë afatgjate të platformës.

“E konsiderojë të jetë përgjegjësi primare e institucioneve tona, në rend të parë e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, e cila edhe  e koordinon punën e ndërmarrjeve mes tjerash dhe mbështetë ndërmarrjet në kuadër të Agjencionit kosovar për Promovimin e Investimeve,  që të mbështes një platformë të tillë, kjo duke e ditur pjesëmarrjen e femrave në sektorin e ndërmarrësisë dhe sektorin privat që është jashtëzakonisht i ulët”, shtoi Zeka.

Sipas tij, kjo mund të jetë një formë që inkurajon përfshirjen e  femrave në ndërmarrësi.

Nga ana e tij, Mejzini tregoi se roli i Agjencisë që ai drejton karshi kësaj platforme është që të ofrojë mundësi që qasja në kuadër të data bazës së Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve të jetë në kohë reale, të jetë e vazhdueshme dhe të ofrojë informata.

Mejzini tha se kjo platformë do të ndihmojë në fuqizimin ekonomikë të  gruas, por sipas tij do të duhej të bëhet më shumë në promovimin e kësaj platforme.

Për ndërmarrësen Linda Shala kjo platformë do të jetë shumë e dobishme nëse përpos listës së bizneseve, për të cilën ajo mendon se nuk është problem me sigurua, të mos përmbajë vetëm kaq.

“ Që nga paslufta, sidomos gjatë viteve të fundit ka pasur iniciativa janë nisë disa faqe web-sajti, platforma me disa informata që kanë të bëjnë me inkurajimin e shpërndarjes së informatës edhe ka mbete aty”, tha Shala.

Sipas saj kjo platformë nuk mund të shpresohet të jetë e qëndrueshme, pa punuar në sigurimin e mbështetjes për vazhdimin e qëndrueshmërisë së saj, duke parë situatën ku 80% e grave nuk kanë qasje në tregun e punës.

“Në rend të parë mendoj që ajo duhet të jetë interaktive, platforma duhet të jetë aktive në bazë ditore për faktin se  ekziston një dukuri që e kam vërejtur prej shumë takimeve me gra, mungesa e informacionit në interpretimin e legjislacionit”, shtoi Shala./21Media    

 

 

 

 

 

Back to top button