Gjykata e Mitrovicës sot ka dënuar me gjithsej 28 vjet burgim të akuzuarit Halil Fejza dhe Korab Imeri në lidhje me vrasjen e Ilir Zeqirit.

Halil Fejza dhe Korab Imeri, i pari i akuzuar për vrasjen e Ilir Zeqirit, ndërsa i dyti për dhënie e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale janë dënuar sot nga Gjykata në Mitrovicë.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga trupi gjykues me kryetar Tomislav Petroviq dhe anëtar Ferki Xhaferi e Nikolla Kabashiq, i akuzuari Halil Fejza për veprën penale vrasje është dënuar me 24 vjet burgim ndërsa për armëmbajtje pa leje, 1 vit e gjashtë muaj burgim.

Në dënim unik të akuzuarit Fejza i llogariten 25 vjet burgim për të dy veprat.Kurse i pandehuri Korab Imeri për veprën ndihmë kryerësve pas kryerjes së veprës penale është dënuar me 2 vjet burgim kurse për armëmbajtje pa leje 1 vjet e gjashtë muaj, ndërsa në dënim unik i llogaritet koha prej 3 vjet burgim. Përveç dënimit, të akuzuarit janë obliguar nga gjykata që të paguajnë për shpenzime procedurale 700 euro, i akuzuari Fejza 500 ndërsa Imeri 200 euro.

I ndjeri Ilir Zeqiri kishte qenë dëshmitar në rastin e vrasjes së policit Valon Goxhuli në Skenderaj, por vrasja e tij, sipas prokurorisë, ka ndodhur për shkak të një borxhi prej 9 mijë eurosh.

E gjithë ngjarja, sipas prokurorisë së Mitrovicës, ka ndodhur në prill të vitit 2019 në fshatin Prekaz i Epërm i Komunës së Skenderajt me qëllim të fitimit të dobisë pasurore, ku i pandehuri Fejza, siç thuhet në aktakuzë, e ka vrarë a tani të ndjerin, Ilir Zeqiri.

Sipas akuzës, pasi Halil Fejza i kishte kërkuar Ilir Zeqirit 9 mijë euro borxh, ditën kritike e kishte thirur viktimën në telefon përmes Messenger it që ta dërgojë me automjet deri në fshatin Prekaz, për nevojat e tij personale. Ilir Zeqiri punonte si taksist në Skenderaj. Gjithnjë sipas aktakuzës, Fejza dhe Zeqiri ishin takuar te xhamia në Skenderaj dhe kishin vazhduar rrugën për në fshatin Prekaz, ndërsa me të mbërritur të lagja “Nezaj” në rrugicën ku më parë kishte fshehur pushkën automatike, kishte kërkuar nga viktima që t’ia ndalë automjetin kinse për të kryer nevojën fiziologjike.

Aktakuza thotë se Fejza kishte dalë nga automjeti, kishte marrë pushkën automatike dhe kishte shtënë në viktimën duke e goditur në kokë, me ç’rast i kishte shkaktuar dëmtime si pasojë e të cilave Zeqiri kishte vdekur.

Me këtë, Fejza akuzohet se e kishte kryer veprën vrasje e rëndë.

Ndërsa për shkak të posedimit të armës, Fejza akuzohet edhe për kryerje të veprën penale të armëmbajtjes pa leje./kallxo.com