Shpallet tenderi për autostradën Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë

Kanë nisuar procedurat e shpalljes së tenderit për autostradën Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë

Komiteti Drejtues Ndërministror të premten mori vendim për aprovimin e shpalljes së tenderit për ndërtimin e segmentit “Kyçja në R6, autostrada “Arbër Xhaferri” deri në Bresalc, në gjatësi prej 21.6 kilometrash të autostradës Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë.

Vendimi bazohet në projektin e aprovuar nga komisioni i Ministrisë së Infrastrukturës me raportin nr. 07 3403.

Me anë të këtij vendimi, Ministria e Infrastrukturës autorizohet që t’i zhvillojë procedurat e prokurimit dhe lidhjen e kontratës për projektin e autostradës Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë në përputhje me Ligjin mbi prokurimin publik.

Po ashtu, Ministria e Infrastrukturës është autorizuar që të themelojë Njësinë për Implementimin e Projektit.

Vendimi është nënshkruar nga ministri në detyrë i Infrastrukturës Lutfi Zharku, ministri në detyrë i Financave Avdullah Hoti, si dhe ministrja në detyrë e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami.

Ndryshe, gjatësia e përgjithshme e autostradës Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë do të jetë 47.1 kilometra.

 

Back to top button