Përveçse janë shumë të shijshme frutat janë edhe shumë të shëndetshme për tu konsumuar. Gjithashtu ato mund të shërbejnë për të bërë shumë maska në kushte shtëpie, të cilat do të jenë edhe më shumë efektive sesa kremrat dhe trajtimet e shtrenjta. Më poshtë po ju sjellim 3 maska që do të ushqejnë lëkurën tuaj dhe do ta bëjnë atë të duket më e butë dhe e shëndetshme se kurrë.

Maskë me kivi dhe avokado

Kombinimi i këtyre dy frutave tropikale është me siguri një mrekulli për lëkurën tuaj. Kjo maskë do ta bëjë lëkurën të duket e shëndetshme dhe me shkëlqim.
– 1 kivi
– 1 avokado
– 1 lugë gjelle mjaltë

Qëroni kivin dhe avokadon, grijini dhe përziejini bashkë me mjaltin. Masën në formë paste vendoseni në fytyrë dhe lëreni për 30 minuta. Më pas shpëlajeni me ujë të bollshëm dhe mos harroni të vendosni kremin tuaj hidratues. Këshillohet të përdoret një herë në javë dhe është e përshtatshme për çdo lloj lëkure.

Maskë me banane

Banania konsiderohet si një frut i shëndetshëm, jo vetëm për trupin, por edhe për lëkurën tuaj

– ½ banane
– ½ lugë gjelle mjaltë
– 1 lugë lëng limoni

Shtypni bananen dhe shtojini mjaltin dhe lëngun e limonit. Përziejini mirë dhe aplikojini në lëkurë të pastër. Lëreni maskën të veprojë për 20 minuta dhe shpëlajeni me ujë të bollshëm. Kjo maskë është e përshtatshme për çdo lloj lëkure, por sidomos për ato të yndyrshme dhe ato që kanë tendencë aknesh.

Maskë me luleshtrydhe dhe çokollatë

Kombinimi i luleshtrydhes me çokollatën duket shumë i shijshëm dhe po ashtu është një maskë e mrekullueshme për lëkurën tuaj.
– 4 luleshtrydhe
– 1 lugë gjelle pudër kakaoje
– 1 lugë gjelle mjaltë

Shtypni luleshtrydhet sa të formohet një masë e njëtrajtshme dhe shtojini kakaon dhe mjaltin. Aplikojeni masën në fytyrë dhe lëreni për 15 minuta. Më pas shpëlajeni me ujë të ngrohtë. Maska është e përshtatshme për çdo lloj lëkure dhe këshillohet ta bëni kur luleshtrydhet kanë sezonin e tyre.