Limoni është i pasur me vitaminë C dhe është një antioksidant i fuqishëm. Nëse e përdorni vetëm në kuzhinë dhe nuk keni tentuar kurrë ta përdorni për të bërë maska në kushte shtëpie, ka ardhur koha ta bëni. Maskat me limon rekomandohen për lëkurë të yndyrshme dhe mikse. Mjafton që t’i shtoni disa përbërës që të gjithëve na ndodhen në kuzhinë dhe ta aplikoni në fytryrë. Rezultatet do të jenë të mahnitshme, pasi fytyra juaj do të duket më e ndriçuar dhe yndyra do të reduktohet ndjeshëm. Po ashtu, maskat e mëposhtme do t’ju ndihmojnë për të zhdukur shenjat e akneve.

Maskë me limon dhe të bardhë veze

Ndani të bardhën e vezës nga e verdha dhe të bardhën rriheni mirë. Shtojini disa pika limon dhe përziejeni mirë masën. Lërëni 10-15 minuta dhe shpërlajeni me ujë të vakët. Duhet të keni parasysh që maskat nuk aplikohen kurrë në zonën e syve dhe të buzëve.

Maskë me limon dhe mjaltë

Kjo është maska më e thjeshtë që mund të ekzistojë. Merrni një lugë çaji mjaltë dhe shtojini disa pika limon. Maskën mund ta mbani në fytyrë 20-25 minuta dhe më pas shërplajeni me ujë të vakët. Mos harroni që pasi keni larë fytyrën duhet të vendosni gjithmonë hidratues.

Maskë me limon, sodë buke dhe kos

Kjo maskë është paksa agresive, prandaj nuk rekomandohet për lëkurat delikate. Përzieni një lugë kafeje kos me një lugë kafeje sodë dhe shtojini disa pika limoni. Përziejeni derisa masa të bëhet në formë paste dhe aplikojeni në fytyrë. Mbajeni derisa të thahet dhe shpërlajeni me ujë të vakët.