30 ditë paraburgim për Nezir Mehmetajn

Reagon Pacolli

Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme në detyrë i Kosovës, Behgjet Pacolli, dënon vendimin e Gjykatës së Beogradit për paraburgimin prej 30 ditësh të Nezir Mehmetajt, duke thënë se kjo marrëzi duhet të marrë fund.

Ai ka bërë të ditur se është në kontakt të ngushtë me Brukselin, dhe se ka alarmuar institucionet e Bashkimit Evropian për arrestimin e Mehmetaj, si dhe praktikën e vazhdueshme nga Serbia të ndalimit të shtetasve kosovar.

“Serbia nuk mund të pengojë më pafund lëvizjen e lirë të njerëzve dhe duhet të ndalojë me përndjekjet dhe arrestime politike të shtetasve kosovar”, ka shtuar Pacolli.

Nezir Mehmetaj, të premten e kaluar u arrestua në Serbi, pasi së bashku me nënën e tij kishin shkuar për vizitë mjekësore në Nish.

Fillimisht, atij i është caktuar masa e arrestit prej 48 orësh, për shkak të dyshimit për krime lufte.

Ndryshe, Nezir Mehmetaj, tash e 30 vjet jeton në Zvicër, ndërkaq gjatë gjithë kësaj kohe, asnjëherë nuk kishte udhëtuar për në Serbi.

Back to top button