Në QKUK dhe në spitalet regjionale të Kosovës po trajtohen 314 pacientë të infektuar me koronavirus, 13 prej tyre janë në gjendje kritike.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi në një konferencë për media foli për gjendjen e pacientëve të infektuar me COVID-19.

“Sot nëpër Klinikat COVID të QKUK-së dhe në Spitalet Rajonale të Kosovës janë duke u trajtuar 494 raste të konfirmuara ose të dyshuara për COVID-19, prej të cilëve tashmë janë 314 raste të konfirmuara me COVID-19. 177 janë nëpër klinikat në QKUK, kurse 137 të tjerë janë të shtrirë në spitale regjionale. Prej numrit total kemi 13 pacientë në ventilim mekanik, të intubuar, që vlerësohen në gjendje kritike, ndërkaq 23 pacientë të tjerë me metodë jo-invazive të ventilimit mekanik”, tha Krasniqi.

Krasniqi tha se tashmë i kanë rritur kapacitetet edhe në spitalin e Vushtrrisë me 60 shtretër, e që presin që brenda kësaj jave të jetë funksional dhe pacientët të shtrihen.

“Po ashtu kemi filluar përgatitjet për të shtuar kapacitetet e për 10 shtretër të mjekimit intensiv në Spitalin e Prizrenit. Kemi shtuar dukshëm, me ndihmën e MSH-së, me punësimin e 100 mjekëve të ri, i kemi shpërndarë 50 mjekë në QKUK, 20 në Klinikën Infektive, 10 në Pulmologji, 7 në Emergjencë dhe 8 në Neurologji. Shpejt presim të shtojmë edhe infermierë, ndërkohë që nga kjo javë kemi filluar me rritje të kapaciteteve të shërbimeve duke angazhuar edhe terapeutët dhe duke i bërë pjesë të ekipit të infermierëve”, deklaroi ai./21Media